Vuk Drashkoviq flet për pikën e mospajtimit me Vuçiqin: “Serbia duhet të zgjedhë, ose të jetë në tryezë ose në meny”.
Shkrimtari dhe politikani serb Vuk Drashkoviq është i bindur se shumë shpejtë do të vjen deri te pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve dhe se kryetari serb Aleksandar Vuçiq sinqerisht është i përcaktuar për evropianizimin e Serbisë, për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe për pajtim strategjik në rajon.
I besoj Vuçiqit, thotë Drashkoviq, kur thotë se asnjë armiqësi nuk mund të shuhet me armiqësi, por me miqësi, dhe konsideron se përcaktimi evropian i Vuqiqit nuk është vetëm pozë.
Vetëm në një gjë thotë nuk pajtohet me të, e ky është NATO, ka thënë Drashkoviq në një intervistë dhënë për revistën kroate Globus, transmeton Insajderi.com.
Drashkoviqi ka thënë se ai e kishte zgjedhur problemin e marrëdhënieve më Kosovën në dy hapa.
Në hapin e parë kishte luftuar për atë se SHBA, Bashkimi Evropian dhe NATO të jenë garantues të planit të Marti Ahtisaarit nga viti 2007, ne të cilin ishte zgjidhur edhe problemi i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në hapin e dytë, shton ai, Serbia dhe Kosova, si dy shtete të pavarura do t’i kishin duart e zgjidhura të merren vesh edhe për korrigjimin e kufijve të tyre.
“Jam i bindur se deri te pajtimi i serbëve dhe shqiptarëve do të vijë, edhe atë shumë shpejtë”, ka thënë Drashkoviq.
Në vërejtjen e gazetarit se bazuar në medie dhe gazetat serbe kjo nuk mund të konstatohet, Drashkoviq thotë:
“Mos i lexoni gazetat, t’i harrojmë gazetat. Menjëherë pas normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, bashkëpunimi në mes të Serbisë dhe Kosovës do të jetë më i suksesshëm sesa bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sepse marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë do t’i ngarkojnë gjërat e vogla.
“Jetojmë njëri afër tjetrit, jetojmë bashkë, Kosova është edhe me rrugë edhe me gjithçka e orientuar kah Serbia. Eksporti ynë (eksporti i Serbisë – v. j.) në Kosovë sot është shumëfish më i madh se eksporti në Rusi dhe Kinë bashkë”, ka thënë Drashkoviq.
Ai pretendon se NATO është i vetmi për të cilin nuk pajtohet me Vuçiqin.
“Vuçiq është kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO, ndërsa unë mendoj se edhe anëtarësimi ynë në Bashkësi Evropiane varet prej anëtarësimit tonë në NATO. Flas dhe shkruaj se për Serbinë NATO është zgjedhja e rrugës, pra caku, ndërsa BE udhëtimi. Nëse hynë në trenin e gabuar, atëherë çdo stacion gjatë rrugës është i gabuar”, ka thënë Drashkoviq.
“Ne duhet të zgjedhim: ose do të jemi në tryezë ose në meny. Flas dhe shkruaj se Serbia është nga të gjitha anët e rrethuar me shtete të cilët janë në BE dhe në NATO. Dhe Serbia nuk ka krahë të fluturojë deri në Vollgë dhe Siberi”