Mëngjesin e sotëm ka humbur jetën një person i gjinisë mashkullore për shkak të një shpërthimi që ka ndodhur në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës. Deri më tani nuk dihet mosha e viktimës e as nëse bëhet fjalë për vrasje, tha policia për Gazetën Express.

Informatat e marra nga policia sqarojnë se viktima dyshohet të ketë rënë në një mjet të dyshimtë, i cili edhe ia ka marrë jetën.

Lirije Podrimaj nga Policia Rajonale e Gjakovës tha se rasti është duke hetuar dhe e gjitha që mund të thuhet deri më tani është se shpërthimi i ndodhur sot në orën 8 të mëngjesit ka lënë të vdekur një person.

“Rreth orës 8 stacioni i policisë Në Gjakovë ka marrë infomracion për një rast shpërthimi në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit. Policia po heton rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti”, tha Podrimaj për Gazetën Express.

Mediat raportuan se bëhet fjalë për vrasje, por policia nuk ka konfirmuar nëse është vrasje, vdekje aksidentale apo vetëvrasje.