Ballkani po vlon përsëri. Kësaj radhe për shkak se spekulimet janë të shumta se Kosova dhe Serbia përfundimisht do të mund t’i japin fund mosmarrëveshjes së tyre dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, thuhet se janë afër arritjes së një marrëveshjeje që do të mund të stabilizonte Ballkanin dhe të hapte dyert për të dyja vendet që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Negociatat po ndodhin nën ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Dhjetë vjet pasi Kosova e shpalli pavarësinë, kapitulli i fundit i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë mund të mbyllet.

Kështu e nis shkrimin e tij në të përditshmen prestigjioze, kryeredaktori i së përditshmes “Koha Ditore”, Agron Bajrami, transmeton Koha.net.

Ai thotë se e gjithë kjo duket si një përrallë pasi që dy liderët, që gjatë luftës së viteve 1998-99, kur u vranë me mijëra civilë kosovarë, dhjetëra mijëra shtëpi u dogjën dhe u shkatërruan, më shumë se 1 milion qytetarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre – ishin në anë të kundërta, ndërsa tani, papritmas, kanë mposhtur gjithë urrejtjen dhe armiqësitë për hir të një të ardhmeje më të mirë për popujt e tyre. Më në fund, një depërtim?

“Është e kundërta, gjithçka mund të kthehet në një makth. Marrëveshja që po konsiderohet ndonjëherë quhet ‘korrigjim i kufijve’ e herë ‘shkëmbim i territoreve’. As Thaçi e as Vuçiqi nuk kanë dhënë shumë detaje, por duket se me këtë marrëveshje, një pjesë e territorit verior të Kosovës, me shumicë serbe, do t’i bashkohej Serbisë; në ndërkohë një pjesë e Serbisë jugore, rajon i njohur gjerësisht si Lugina e Preshevës, popullata shumicë e së cilit është shqiptare, do t’i bashkohej Kosovës”, thotë Bajrami në shkrimin e tij autorial për “The Guardian”.

Sipas tij, ky shkëmbim i tokës do të rezultojë në më pak serbë që jetojnë në Kosovë dhe në më pak shqiptarë në Serbi. Të dy vendet do të bëheshin më “etnikisht të pastra”. Shumë njerëz do të duhet të largohen nga shtëpitë e tyre familjare dhe vendet e lindjes. Me fjalë tjera, do të kishte një shkëmbim të popullsive, jo vetëm territore.

“Charles Kupchan, ish-këshilltar i Barack Obamas dhe tani profesor në Universitetin Georgetown, e ka përshkruar planin tentativë si ‘spastrim etnik paqësor’. Mbështetës i idesë për shkëmbim të tokës, ai beson se ‘pragmatizmi ka nevojë për parim’. Me mirësjellje, por nuk pajtohem”, potencon Bajrami në shkrimin të cilin të plotë mund ta gjeni në KËTË link.