Të hënë e kaluar dy femra ishin goditur rëndë me veturë në Rrugën “B” në Prishtinë, ku si pasojë e plagëve të marra njëra nga to kishte ndërruar jetë.
Ndërsa, e aksidentuar tjetër, 23 vjeçarja nga komuna e Istogut vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kështu ka thënë për lajmi.net, Naim Kuçi, shef i Klinikës Intensive në QKUK.
“Gjendja shëndetësore e të aksidentuarës vazhdon të jetë e rëndë, ende po vazhdon trajtimi i saj mjekësor, por që gjendja e saj është e rëndë”, ka thënë Kuçi.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë të pandehurit L.M, i cili shkeli dy këmbësoret me veturë në Rrugën “B” i ka caktuar një muaj paraburgim.
Kësisoj, Gjykata ka marrë vendim për të dyshuarin L.M, që t’i caktohet masë e ndalimit prej një muaj paraburgim, nën dyshimin e bazuar se ai duke drejtuar veturën e tij të tipit “ BMW “, kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend dhe me pjesën e përparme të anës së djathtë i kishte goditur në trup këmbësorët L.A dhe F.R, e si pasoj e së cilës L.A kishte ndërruar jetë në QKUK, kurse e dëmtuara F.R kishte pësuar lëndime të rënda trupore.