Punimet në një pjesë të rrugës së re e cila ka filluar të ndërtohet buzë lumit Llap janë ndalur nga banorët. Kjo pasi që banorët po pretendojnë se janë ndërruar fjalët sa i përket shpronësimit, raporton Llapi.info

Kjo është bërë e ditur dje gjatë seancës në Kuvendin Komunal, ku kjo rrugë ishte vendosur nga Komuna në rend dite që të shpallet në interes publik.

Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Podujevë, Hamdi Jaha, ka kërkuar nga këshilltarët që të miratohet ky vendim. Sipas tij, rruga do të përfundojë brenda pak ditësh.

“Punimet e rrugës afër lumit Llap janë në përfundim e sipër. (DPUMM) në Podujevë ka propozuar këtë në bazë të nenit 12.1 dhe 12.2 D17T të ligjit për vetëqeverisje. Është në interes publik në plan zhvillimor komunal, rruga ka filluar vitin e kaluar dhe shpresojmë që të përfundoje brenda 10 dite. Ajo ka qasje të mirë të qytetit të Podujevës sepse është si një lloj unaze e qytetit”.

“Në shpronësimin e kësaj me ligj e bënë Ministria e Financave e cila bënë vlerësimin e pronës, ne si komunë kemi të drejt në dy-tri variante për t’i bërë zgjedhje: 1. Duhet të dërgohet në Ministrinë e Financave për shpronësim. 2. Kemi mundësi në këmbim të tokës dhe e treta që është më e mira për Komunës që ajo pjesë e tokës të jepet në ndërtim. Komuna nuk ka obligim kuptimin financiar, por ka obligim për t’iu ndihmuar qytetarëve”, ka thënë ai.

Kurse, Arbër Blaku nga PDK në lidhje me këtë rrugë ka thënë se janë ndërruar fjalët sa i përket shpronësimit. Sipas tij, banorët e asaj zone nuk janë të pajtimit me vendimin e Komunës.

“Gjatë takimit me banorë të lagjes që kanë ardhur këtu dhe këta kanë shprehur shqetësim se janë luajtur fjalët mes Kuvendit Komunal dhe e kanë bërë një peticion në adresë të këtij kuvendi. Andaj, kjo pikë e rendit është mirë për t’u shqyrtuar edhe një herë për shkak se sipas tyre, janë ndërruar fjalët me punën e shpronësimeve ose kompensimit. Janë ndërruar fjalët mes Komunës dhe banorëve. Më mirë të caktohet një takim edhe të shikohet mundësitë për të dalë prej kësaj situate. Kjo pasi që në këtë formë ata nuk janë të pajtimit”, ka thënë Blaku.

Pas fjalëve të Blakut, drejtori i Urbanizmit, Hamdi Jaha, tha se shpronësimi do të bëhet sipas ligjit.

“Ne kemi diskutuar me qytetarët edhe nuk mund t’i jepet dikujt as më shumë e as më pak se sa i jep ligji. Dhe këta nuk do jenë të hendikepuar që i merr diçka Komuna e që është pronë e tyre. Është çështje në interes publiku, shpronësimin e bën Ministria e Financave dhe ajo e Planifikimit Hapësinor. Në hartën zonale do të përcaktohet në secilën parcelë të tokës në Podujevë, nuk i merret pasuria qysh dëshiron Komuna, por janë ligjet dhe nuk dëmtohen”, ka thënë Jaha.

Sipas këshilltarit të VV-së, Vendenis Lahu, së pari është dashur të bëhet shpronësimi e pastaj ndërtimi.

“Realisht ajo rrugë është ndërtuar në pronë private, kapaciteti i asaj rruge është i ngushtë. Nëse ka qarkullim sa rruga “Zahir Pajaziti” e cila mbyllet për shkak të saj, do të ketë kaos. Nëse ndërtimi i kësaj rruge ka shkuar proceduralisht, së pari është dashur të bëhet shpronësimi e pastaj ndërtimi dhe asfaltimi”, ka thënë Lahu.

Pas këtyre fjalëve, reagoi sërish drejtori Jaha, shtoi se kjo rrugë është në interes publik.

“Banorët kanë biseduar me kryetarin Veliu në pjesën e parkut në vitin 2016. Me hartë zonale do të përcaktohet secila pjesë e tokës në të gjithë territorin. Ajo pjesë ka me qenë ma atraktive e Komunës, si ide ka me qenë si rruga “B” e Prishtinës. Ajo pjesë ka mbet si në kohë të viteve të 50-ta dhe ne dëshirojmë ta zhvillojmë atë”, ka thënë Jaha.

Në lidhje me këtë pikë të rendit, Bajram Ajeti nga Lëvizja Vetëvendosje theksoi se shpronësimi duhet të bëhet me ligj dhe të jenë të pajtimit edhe banorët.

“Ajo rrugë nuk ka plan zhvillimor, nuk ka hartë zonale e as plan urbanistik. Duhet të kryhen procedurat ligjore për shpronësime”, ka thënë Ajeti.

Kurse, Rafet Llapashtica nga PDK shtoi se kjo rrugë ka mbetur peng, pasi që sipas tij, nuk ka hartë zonale.

“Në atë rrugë një pjesë e banorëve janë pro e një pjesë janë kundër, si rezultat i shpronësimit dhe pronës private. Komuna nuk ka plan e as hartë zonale për këtë zonë. Rruga është mbet pengesë deri të merret vendimi për shpronësim”, ka thënë Llapashtica.

Në lidhje me këtë ka folur edhe nënkryetari i Komunë së Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Kompensimi bëhet me ligj i rregulluar për këtë rrugë. Ministria e Financave i kompenson, nuk do të merret as edhe një metër katrorë pa kompensim”, ka thënë Rudari.

“Ne i kemi ndalur punimet, nuk do t’i lejojmë të punojnë derisa të na jepet dokumenti”, ishin fjalët e banorëve që kishin ardhur në Kuvendin Komunal për këtë çështje.

Megjithatë, pas diskutimeve kjo pikë e rendit është shtyrë për seancën e radhës pasi që nuk ka arritur të miratohet si rezultat i shqetësimit të banorëve./Llapi.info