Ndërtimi i “Bulevardit të Dëshmorëve” në qendër të Podujevës nuk ka filluar as këtë vit. Kjo pasi që një pjesë e madhe e mjeteve për këtë shesh, janë rialokuar për ndërtimin dhe asfaltimin e disa rrugëve në qytet dhe fshatra të Komunës, njofton Llapi.info
Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Podujevë, Hamdi Jaha, në seancën e Kuvendit ka theksuar se punimet për këtë shesh do të nisin në vitin 2019.
Sipas tij, punimet e filluara në rrugën e qendrës “Zahir Pajaziti”, kanë qenë shkak që sheshi të mos filloj as këtë vit.
“Do të bëjmë maksimumin e mundshëm që ajo rrugë [Zahir Pajaziti] duhet me u përfundue, me të vetmin qëllim që vitin e ardhshëm, vitin 2019 qysh e keni edhe në programin e miratuar në Kuvend të fillohet me sheshin. Pra, arsyeja ka qenë që mos të fillojmë me dy pjesët. Ne Podujevën nuk mundemi me e bë komplet të bllokuar dhe për ata është bërë destinimi i mjeteve për t’u kryer kjo pjesë e rrugës”, ka thënë ai.
Sipas drejtorit Jaha, punët në rrugën e qendrës së Podujevës janë duke vazhduar me intensitet të madh.
“Me plan rruga “Zahir Pajaziti” është me u bë jashtëzakonisht e mirë, tash e tutje do të punohet me të gjithë infrastrukturën në secilën rrugë duke i hequr shtyllat elektrike. Kjo rrugë është planifikuar të ketë infrastrukturë nëntokësore dhe kanalizimin fekal”, ka thënë pos tjerash ai.