Haxhi (Robin) Krasniqi nuk ndalet. Ai të shtunën mbrëma bëri hap tjetër drejt realizimit të synimit të madh që e ka në boksin profesionist. Junikasi 31-vjeçar e ka mbrojtur titullin e Evropës në kategorinë super të mesme.

Krasniqi ka mbrojtur për herë të parë titullin evropian të versionit EBU (European Boxing Union) që për shumë njerëz të boksit është titulli i vetëm i vërtetë i Evropës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Krasniqi boksoi në Dessau të Gjermanisë para rreth 3000 shikuesve dhe nuk u mbeti borxh tifozëve të tij të shumtë. Ai përballë e kishte Ronny Landaetan, venezuelasin me shtetësi spanjolle, ndërsa fitoi bindshëm pas një lufte të fortë që zgjati 12 raunde. Të tre gjyqtarët e vlerësuan Krasniqin fitues dhe atë me rezultat bindës: 120:107, 116:111 dhe 116:110.

Krasniqi në boksin profesionist i ka 49 fitore e pesë humbje. Titullin e Evropës e fitoi më 2 qershor të këtij viti kur e mposhti Stanislav Kashtanovin.