Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala sot është deklaruar për urdhëresën që kjo Ministri e kishte nxjerrë dje.
Ministri Shala tha se ka kërkuar nga Inspektorati në kuadër të MTI të kërkojnë nga operatorët ekonomik largimin e ambalazhit apo produkteve më mbishkrimin “Kosova Metohija”.
“Pas urdhëresës së djeshme të cilën ia kam dërguar inspektoratit të tregtisë në kuadër të MTI-së, kam kërkuar nga inspektorati që ata të kërkojnë nga të gjithë operatorët ekonomik që secili produkt që gjendet në tregun kosovarë dhe në të nuk është i respektuar emri i Kosovës në bazë të ligjeve në fuqi dhe në bazë të Kushtetutës se Kosovës ai mall, ajo pjesë e tiketës së deklarimeve të mbulohet ose do të duhej të hiqeshin të gjitha ato produkte”, tha Shala, raporton kallxo.com.
Ai po ashtu shtoi se ka kërkuar nga Dogana e Kosovës dhe AUV që të mos lejojnë hyrjen e asnjë produkti që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
“Kam njoftuar Doganën e Kosovës që në bashkëpunim me AUV të mos lejojnë hyrjen e asnjë produkti me atë mbishkrim. Këtu nuk do të shitet asnjë mall ku shkruhet “Kosova Metohija” apo “Prishtina” se ka informacione se janë duke shkruar edhe emra të disa qyteteve tjera dhe jo emri që janë importues për shtetin e Kosovës”, deklaroi ministri Shala.
Shala dje ka njoftuar se ka lëshuar një urdhëresë me të cilën ka obliguar Inspektoratin e Tregut të MTI-së që të kërkojë nga operatorët ekonomikë në Kosovë, largimin e menjëhershëm të etiketave me mbishkrim të tillë, si p.sh. përfaqësues – Distributor – Importues etj., për “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”.
“Njëkohësisht kam kërkuar nga Dogana e Kosovës që ta ndalojnë hyrjen në Kosovë të çfarëdo produkti në të cilin përdoret mbishkrimi i lartcekur e i cili është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në këtë rast në raport me emërtimin zyrtar të shtetit tonë”, ka shkruar Shala në rrjetin social “Facebook”.