BE nuk ka gjasa t’i japë fund regjimit të vizave për Kosovën muajin e ardhshëm
Si duket liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të jetë në rendin e ditës të takimit të muajit të ardhshëm të ministrave të shteteve anëtare të BE-së.
Kjo është thënë nga burimet diplomatike të BE-së në Bruksel, transmeton lajmi.net.
Sipas këtij burimi diplomatik i një vendi anëtar të bllokut evropian në Bruksel tha për dtt-net.com se në projekt-rendin e ditës të takimit të 6 dhe 7 dhjetorit të ministrave të drejtësisë dhe të brendshëm çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk figuron.
“Vendet anëtare të BE nuk kanë gjasa të vendosin muajin e ardhshëm me propozimin e Komisionit Europian (KE) për t’i dhënë fund regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës muajin e ardhshëm”, sipas burimeve të bllokut evropian.
Kujtojmë, se në muajin korrik të këtij viti Komisioni Evropian (KE) i kishte propozuar vendeve anëtare të BE-së që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, pasi parashihej se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Në shtator këtë propozim të KE-së e përkrahu edhe Parlamenti Evropian (PE).
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, të cilit BE-ja nuk ia ka hequr vizat për lëvizje të lirë në zonën Schengen.