Albin Kurti, ka kërkuar që subjektet politike në Kosovë të arrijnë konsensus për përpilimin e një liste ku Serbisë i kërkohet njohja e pavarësisë si dhe zbulimi i personave të pagjetur në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media, ku i pari i kësaj partie, Albin Kurti, ka kërkuar që subjektet politike në Kosovë të arrijnë konsensus për përpilimin e një liste ku Serbisë i kërkohet njohja e pavarësisë si dhe zbulimi i personave të pagjetur në Kosovë.

Kurti ka thënë se hapi i parë i përgatitjes për bisedime me Serbinë është krijimi i një raporti me pëlqimin e të gjitha subjekteve politike në vend, njofton Klan Kosova.

“Nuk mund të pajtohemi me Serbinë nëse nuk pajtohemi me njëri tjetrin rreth këtij raporti”.

Ai është shprehur optimist duke thënë se partitë politike mund ta ndërtojnë konsensusin parlamentarë dhe qeveritarë për kërkesat ndaj Serbisë.

Gjersa ka kritikuar idenë e Presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë, Kurti ka thënë se Serbia ka arrit t’i përçajë subjektet politike në vend.

“Është dëm i madh që neve na ka hyrë Serbia në mes dhe na ka përçarë”.

Ai ka thënë se Kosova ende nuk ka ndonjë dokument të qartë për kërkesat që ka ndaj Serbisë.

Sipas tij, Kosova duhet të përpiloj një listë ku Serbisë i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, zbulimi i personave të pagjetur, kërkim falje për krimet e kryera në Kosovë, si dhe respektim të të drejtave të komunitetit shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës.

Madje ai ka shtuar se Kosova nuk është shtet serioz nëse nuk i kërkon borxhin Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në vend.

“Shtetet e ndryshme nuk ia kanë falur borxhin e luftës Gjermanisë. Nuk jemi shtet serioz nëse nuk e kërkojmë borxhin tonë”, ka shtuar Kurti.