Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar të ndjerin Xhemail Mustafën, në 18 vjetorin e vrasjes së tij.

Ai ka thënë se Xhemail Mustafa ka qenë punëtor i palodhshëm për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, njofton Klan Kosova.

“Xhemaili shënoi dhe simbolizoi një periudhë të dinjitetit atdhetar e intelektual. Ishte zë i fuqishëm, shumë i respektuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, projektues i ardhmërisë së pavarur të Kosovës, frytet e së cilës veç sa i preku dhe nuk i shijoi. Por vazhdojnë të i shijojnë, ata për të cilët u flijua shkrimtari, intelektuali e patrioti shqiptar i Kosovës”, shkruan në komunikatën e LDK-së.

“Xhemail Mustafa u vra mizorisht në Prishtinë, më 23 nëntor 2000, në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues të cilët kurrë nuk u arrestuan”.