Nga 30 centë sa ishte çmimi standard i bukës, në disa komuna të Kosovës u rrit në 40 centë.
Vendosja e taksës fillestare prej 10 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës së Hercegovinës, bëri që qytetarët e Kosovës të përballen me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, përfshirë edhe atë të bukës.
Nga 30 centë sa ishte çmimi standard i bukës, në disa komuna të Kosovës u rrit në 40 centë.
Pas qytetit të Prizrenit, çmimi i bukës u rrit edhe në Kaçanik, Gjakovë dhe komuna të tjera.
Për këto zhvillime kishte reaguar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Ministri i MTI-së, Endrit Shala fillimisht tha se nuk beson që do të ketë rritje të çmimeve të produkteve në Kosovës pas vënies së masës mbrojtëse ndaj shtetit serb dhe boshnjak, ndërkaq pas rritjes së çmimeve, ministri Shala i quajti ato të paarsyeshme.
“Nga të dhënat që i kemi, Republika e Kosovës mbulon 80 për qind nevojat e saj me grurë, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë”, tha ministri gjatë raportimit në Komisionit për Zhvillim Ekonomik.
Rritja e çmimit të bukës, e kundërligjshme
Ndërkaq, veprimi i furrtarëve po vlerësohet të jetë i ngutshëm dhe rritja e çmimit të bukës po konsiderohet e lartë.
Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, ka thënë për kallxo.com se çmimi i grurit në pjesën e Ballkanit, e veçanërisht në Serbi, është shtrenjtuar gjatë tre muajve të fundit për 8.5 për qind.
“Unë konsideroj se ajo ngritje e çmimit që e kanë bërë furrtarët për 10 centë, prej 30 në 40 centë është e lartë. Taksa prej 10 për qind nuk ka pasur afat të reflektojë menjëherë. Normale do të ishte ngritja e çmimit prej 4 deri në 5 centë e jo në 10 centë. Këto janë qëndrime të veçanta të furrave. Nuk e di që ka marrë vendim as prej organeve kompetente që të ngritet çmimi”, shprehet Farizi.
Por, për kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, rritja e çmimit të produkteve nga ndërmarrjet pas vënies së taksës 10 për qind nga Qeveria e Kosovës nga këndvështrimi ekonomik, ka qenë e pritur.
Sipas tij, problematike është fakti kur bizneset i ngritin çmimet duke u marrë vesh individualisht.
“Problemi kryesor nga këndvështrimi i konkurrencës është kur ndërmarrjet të cilat veprojnë në një treg të caktuar i ngritin çmimet në mënyrë të bashkërenduar duke u marrë vesh me gojë apo me shkrim në formë të “kartelit”. Kartelet janë shkeljet më të rënda që Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës i ndalon dhe i sanksionon. Dhe abuzimi me pozitën dominuese”, thotë Pestreshi.
Në këto raste, Pestreshi sqaron se AKK-ja ka përgjegjësi t’i parandalojë ndërmarrjet që i bashkërendojnë aktivitetet e tyre dhe shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve në mënyrë të koordinuar, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes apo kushte tjera tregtimi.
Drejtori i AKK-së thotë se kanë ngritur një grup punues të hetuesve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
“Ne i bëjmë thirrje biznesit tonë të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj konsumatorit dhe mos ta keqpërdorin këtë momentum të krijuar, dhe mos të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Biznesi i cili zihet në kartel ekspozohet ndaj gjobës deri 10 për qind të qarkullimit vjetor të vitit paraprak”, tha Pestreshi.
Ndërsa, eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi vlerëson se duhet të bëhet një dallim mes çmimit të bukës në Kosovë dhe importit të miellit nga Serbia.
“Jo domosdoshmërisht prodhuesit e bukës në Kosovë janë të obliguar që të importojnë grurin nga Serbia. Nëse importojnë nga Serbia do ta kenë 100% ma shtrenjtë, mirëpo bota i ka edhe 195 shtete të tjera nga cilat mundemi të importojmë”, deklaroi Gashi.
Gashi shtoi se boshllëkun e një produkti nga Serbia, Kosova mund ta mbulojë nga rajoni nga vendet e Bashkimit Europian nga Turqia e të tjera.
“Nuk është alternativë e vetme furnizimi me grurë nga Serbia. Njerëzit po flasin sikur Serbia të ishte e vetmja që prodhon grurë”, përfundon ai.
Serbia, burim i drithërave për Kosovën
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më së shumti drithëra Kosova importon nga Serbia.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se në vitin 2015 Kosova ka importuar 84,176 tonelata grurë, ndërsa mbi 94 për qind e kësaj sasie është importuar nga Serbia.
Ndërsa, sipërfaqja e mbjellë me grurë në Kosovë nga viti 2012 deri në vitin 2017 ka rënë dukshëm.
“Në vitin 2012 Kosova ka pasur 102,918 hektarë, në vitin 2013 101,846 hektarë, në vitin 2014 ka pasur 90,728 hektarë, në vitin 2015 ka pasur 89,942 hektarë, në vitin 2016 ka pasur 89,122 hektarë, e në vitin 2017 Kosova ka pasur të mbjella 80,519 hektarë”, thuhet në të dhënat e ASK-së.
Ndërkohë, shifra shqetësuese të mbjelljes së grurit në Kosovë po rezultohet të ketë edhe këtë vit.
Mungesa e reshjeve të shiut muajve të fundit në Kosovë, ka bërë që në tërë territorin e vendit deri më tani të mbillen vetëm 10 për qind e sipërfaqes me grurë, nga 75 mijë hektarë sa janë planifikuar të mbillen në këtë sezon.
Pas masës mbrojtëse fillestare prej 10 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që këtë taksë ta rrisë në 100 për qind si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për lobimin kundër Kosovës.
Vendimet e ekzekutivit kanë nxitur reagimin e Bashkimit Europian dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kërkuan nga Kosova që menjëherë të hiqet taksa.