Policia e Kosovës e ka konsideruar të suksesshëm operacionin e sotëm në veri të vendit, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, dhe një tjetër i cili i ka penguar gjatë kryerjes së operacionit.
Për të dyshuarin e katërt, me inicialet S.A, i cili nuk është gjetur në shtëpinë e tij, Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se do të arrestohet në momentin që do të haset.
Drejtori i Departamentit për hetime, Riza Shillova, duke dhënë detaje të operacionit në Mitrovicë, ka sqaruar se të arrestuarit gjenden në objektet e Policisë së Kosovës dhe se procesi i tyre do të trajtohet sipas udhëzimeve që i jep prokurori.
“Cak i operacionit policor kanë qenë katër lokacione dhe katër të dyshuar. Një nga të dyshuarit, M.R. i datëlindjes 1978 nuk është hasur në vendbanimin e tij, prandaj për të është lëshuar fletëarrest, respektivisht është në arrati, dhe atëherë kur do të haset nga Policia e Kosovës do të arrestohet edhe ky person…
Operacioni ka rezultuar të jetë i suksesshëm. Janë përdorur mjete dhe metoda të cilat janë të parapara edhe me procedura edhe me ligje aktuale në fuqi. Gjatë operacionit nuk kemi pasur asnjë person të lënduar, respektivisht asnjë zyrtarë policorë të lënduar. Gjithçka ka shkuar sipas planifikimit, edhe përkundër rezistencës të hasur në njërin nga vendet ku është bërë bastisja, zyrtarët policorë kanë arritur ta menaxhojnë me sukses. Të dyshuarit janë përkohësisht në objektet e Policisë dhe do të vazhdojë procedura ashtu siç parashihet me kodin e procedurës penale dhe sipas udhëzimeve që i jep prokurori”, tha ai.
Ndërsa prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, tha se veprimet e sotme kanë ardhur si rezultat i shterimit të të gjitha mënyrave tjera për të arritur tek të dhënat faktike.
Ai ka mohuar që aksioni i sotëm i Policisë të Kosovë të ketë lidhje me taksën e vendosur nga Qeveria e për produktet e Serbisë që importohen në vend, duke shtuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka grumbulluar prova që nga 13 marsi i këtij viti lidhur me këtë rast.
Hoxha bëri të ditur se kontrolli i shtëpive të të pandehurve është bërë me një urdhëresë të datës 21 të këtij muaji, të lëshuar nga Gjykata Themelore. Ndërsa për epilogun e këtij rasti, ai tha se qytetarët do të njoftohen me kohë.
“Prokuroria Speciale e Republikës të Kosovës kemi grumbulluar prova rreth këtij rasti. Sigurisht se ka pasur vështirësi me grumbullimin e provave por megjithatë neve i kemi dëgjuar një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve, që janë mbi 40 dëshmitarë të dëgjuar kryesisht nga pjesa veriore lidhur me këtë rast… Prokuroria Speciale deri në këto momente ka grumbulluar prova dhe ka ardhur në një përfundim se vetëm me një urdhërkontroll të shtëpive, banesave të të dyshuarve mund të sigurohet edhe ndonjë provë tjetër lidhur me rastin e vrasjes së O.Ivanoviqit”, u shpreh ai.
Hoxha nuk ka dashur të bëjë të ditur nëse personi me inicialet M.R. është Milan Radojqiq, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe hetimeve.
E zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka bërë të ditur se Policia e Kosovës është njoftuar për protestën e paralajmëruara në orën 12:00, në Graçanicë, për kundërshtimin e taksës prej 100 për qind. Teksa ka shtuar se kanë marrë njoftim edhe për protestë në veri të vendit.
“Ne si Polici, çdoherë konform informacioneve bëjmë edhe planifikimet tona operacionale për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Ne e njohim të drejtën e qytetarëve për të protestuar konform ligjit mbi tubimet publike për pakënaqësitë e tyre dhe do të jemi të kujdesshëm që të veprojmë të veprojmë sipas situatës, në mënyrë të ruajtjes së qetësisë publike në vend”, tha ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm rreth orës 6:00, ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.