Një sulm i papritur dhe i turpshëm ndaj autobusit të ekipit të Boca Juniorsit, nga tifozët e River Plate, bëri që takimi i dytë i finales së Kupës Libertadores të shtyhej.

Ndeshja mes dy rivalëve të përjetshëm në Argjentinë do të zhvillohet pikërisht këtë të dielë, në orën 21:00 (me atë shqiptare), plot 24 orë më vonë nga sa ishte parashikuar.

Njoftimi i bërë nga klubi i Riverit përmes rrjetit social “Twitter” erdhi pas më shumë se dy orësh konfuzioni në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, periudhë gjatë së cilës nisja e takimit u shty dy herë, fillimisht në orën 22:00 dhe më pas në 23:15 (të së shtunës).

Lojtarët e Bocës pësuan çarje nga ciflat e xhamave të thyer të autobusit, e gjithashtu u dëmtuan nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia për të shpërndarë turmat e irrituara të tifozëve.

Një numër futbollistësh, përfshi ish-lojtarin e Cityt dhe Juves, Carlos Tevez, raportohen të kenë pasur të vjella dhe marrje mendsh, ndaj dhe është dashur të trajtohen nga mjekët e klubit.

Pamjet e transmetuara nga brenda dhomës së zhveshjes së Boca Juniorsit treguan lojtarët të çakorduar dhe të çorientuar. Ndërkohë, Perez dhe Lamardo të Bocës u dërguan me ambulancë drejt spitalit, që të dy me sy të fashuar dhe me çarje në kokë.

Kupa Libertadores është turneu më madhor i Amerikës së Jugut për klube, ekuivalenti i Champions League në Europë. River-Boca është ndeshja e kthimit, pasi sfida e parë e luajtur në “Bonbonera” përfundoi me rezultatin 2-2./top-channel.tv/