Shteti i Kosovës është në përgatitje të një liste me emrat e disa zyrtarëve nga Beogradi të cilëve do t’ua ndalojë hyrjen në Kosovë.
Dhjetëra zyrtarë serb do të gjenden në listën të cilën Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë është duke e hartuar.
Në një prononcim për Express, zyrtarë nga MPJ kanë deklaruar se këtë punë, po e bëjnë pas sjelljeve të pandërgjegjshme të cilat zyrtarët serb po ua bëjnë kosovarëve.
Sipas zyrtarëve të MPJ’së, shteti serb po i keqtrajton qytetarët e Kosovës duke ndërtuar lista të ndalesave si dhe po i arreston ata.
“Jo nuk kemi ende një listë të tillë. Por që Serbia në të ardhmen e afërt do të përballet me një mase reciprociteti edhe në këtë drejtim ngase maltretimi dhe ndalesa që ua bën qytetarëve të Kosovës në kufi është e papranueshme”, ka deklaruar për Express, këhsilltari i ministrit të jashtëm, Jetlir Zyberaj.
Ai sjelljet e zyrtarëve serb i quajti fashiste.
“Serbia i keqtrajton qytetarët e Kosovës, ndërton lista të ndalesës pa kurrfarë arsye për qytetaret tanë dhe arreston njerëz sipas akuzave fashiste të periudhës së Millosheviqit. Kjo nuk mund të tolerohet”, deklaroi ai.
Tutje, zyrtari i MPJ’së, deklaroi se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të reagojë karshi sjellejeve të autoriteteve serbe.
“Natyrisht që ne nuk e dëshirojmë një gjë të tille por, Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ushtroje presionin e duhur dhe ta ndaloje këtë sjellje të qeverisë serbe”, ka thënë të dielën për Express, Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i Behxhet Pacollit.
E, ndërkohë gjatë ditës së sotme gazeta beogradase “Novosti” ka shkruar se “edhe para aplikimit të taksës drakonike doganore për hyrjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës, autoritetet e Prishtinës më 1 nëntor kanë marrë vendim që zyrtarëve më të lartë të Beogradit t’u ndalohet kalimin nëpër vendkalimet kufitare në mënyrë që të mos hyjnë në Kosovë”.
“Lista e personave të padëshiruar në Kosovë është shpërndarë në të gjitha pikat e kontrollit të policisë në vendkalimet, duke vënë në dukje se do të arrestohen menjëherë nëse paraqiten në ndonjërin nga vendkalimet kufitare”, shkruan gazeta serbe, përcjell Telegrafi.
Sipas kësaj gazete, “në listën që e ka parë ky medium janë në zyrtarët serbë, duke filluar me kryeministrja Ana Brnabiq, pastaj ministrat e qeverisë dhe krerët e Parlamentit të Serbisë, duke përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme”.
“Në ‘Listën e zezë’nga kabineti i kryeministres Brnabiq janë: Ivica Daçiq, Nebojsha Stefanoviq, Rasim Lajiq, Zoran Mihajloviq dhe Aleksandar Vulin. Përfaqësuesit e padëshiruar nga Kuvendi i Serbisë janë: Presidentja Maja Gojkoviq dhe zëvendësit Verolub Arsiq, Vladimir Marinkoviq, Gjorgje Miliçeviq, Verica Radeta dhe Gordana Çomiq si dhe 14 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të kryesuar nga presidentja Vesna Iliq Preliq, katër gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kasacionit dhe presidentit të saj Dragomir Milojeviq, dhe disa sekretarë shtetërorë, ndihmës ministra …”, shkruan gazeta.
Lista me emrat e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, të cilëve sipas mediave në Serbi do t’u ndalohet hyrja në Kosovë
Sipas kësaj gazete me këtë veprim, autoritetet e Kosovës kanë shkelur marrëveshjen e Brukselit që ka të bëjë me vizita zyrtare dhe e cila është në fuqi që nga viti 2014.