Një 62 vjeçar ka vdekur sot pas problemeve shëndetësore që kishte gjatë kohës sa po bënte homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 13:00, derisa ka qenë në hollin e Kuvendit për homazhe personi me inicialet Xh.S., 62 vjeçar ka pasur probleme shëndetësore. I njëjti me ekipin mjekësor është shoqëruar në QKUK. Nga aty Policia ka pranuar informatën se i njëjti ka ndërruar jetë”, tha Ahmeti për kallxo.com.

Ajo tutje shtoi se me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Familjarë, qytetarë të shumtë dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës kanë bërë sot homazhe në nderim të Heroit të Kombit, gjeneral-major Ilir Konushevci dhe Dëshmorit të Kombit, Hazir Malaj.

Homazhet janë mbajtur në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj rivarrimi është bërë sot në orën 14:30 në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani, Prishtinë.