Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinajt, Avni Arifi u bëri thirrje kryetarëve në dorëheqje të komunave me shumicë serbe në veri që të ndikojnë në Serbinë për të mos i bërë probleme Kosovës.
“Kjo do të ishte më e mira. Edhe sot, për shkak se ata janë te Vuçiq, ata i kërkojnë atij të ndalë fushatën që po udhëheq kundër Kosovës,” tha Arifi për RTK2.

Ai tha këtë duke përsëritur se masa e rritjes shtesë në taksën e mallrave serbe nuk ishte drejtuar kundër komunitetit serb, kryetarëve të komunave apo cilitdo që jeton në Kosovë.

I pyetur se kur do të vazhdojë dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, Arifi, i cili kryeson delegacionin e Prishtinës në nivelin teknik, thotë se do të donte që dialogu të vazhdojë, por siç tha ai, të jetë dialog i vërtetë dhe jo siç ishte më parë.

“Flas posaçërisht për dialogun teknik që po udhëheq,” tha Arifi.

Duke folur për rritjen e taksës ndaj mallrave nga Serbia, Arifi beson se Serbia nuk mund ta njohë Kosovën dhe ta quajë “të ashtuquajtur”, dhe njëkohësisht të shesë mallra me vlerë 500 milionë euro në tregun e Kosovës.

“Ne duam normalizimin. Duhet ta pranojmë njëri-tjetrin. Nuk mund të themi se nuk do t’ju pranoj, ju jeni ‘të ashtuquajtur’, por në territorin tuaj të ashtuquajtur, unë shes mallra me vlerë 500 milionë euro. Kjo nuk shkon askund. Kjo është Kosova, është shtet, ka një treg prej 500 milionë euro dhe në rrethana normale mund të jetë një miliard për shtetin serb. Por ne nuk jemi ‘ashtuquajtur’, “tha Arifi.