Kriza institucionale po thellohet.

Institucionet e Kosovës, të udhëhequra nga koalicioni PAN, nuk janë në nivelin e përgjegjësisë.

Kështu është deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, nëpërmjet një konference për media.

“Skandalet e përditshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë, mungesa e dijes elementare për të udhëhequr institucionet dhe problemet me ligjin, kanë bërë të humbet besimi i qytetarëve në institucione”, ka thënë ai.

Deklarata e plotë e konferencës së LDK-së:

Institucionet e Kosovës, të udhëhequra nga koalicioni PAN, nuk janë në nivelin e përgjegjësisë.

Skandalet e përditshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë, mungesa e dijes elementare për të udhëhequr institucionet dhe problemet me ligjin, kanë bërë të humbet besimi i qytetarëve në institucione.

Në arenën ndërkombëtare, Kosova është në pozitën më të disfavorshme historikisht. Edhe gjatë viteve të 90-ta, kur nuk e kemi pasur shtetin tonë të pavarur dhe diplomaci shtetërore, përkrahja për Kosovën ka qenë më e madhe.

Kriza ka eskaluar me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri pas vendosjes së taksës për mallrat serbe.

Kjo situatë ka ardhur si rezultat:

* i angazhimit jo kushtetues të Presidentit për nisur dialogun me Serbinë për korrigjim të kufijve dhe

* nga mosveprimi i Kryeministrit në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Kjo gjendje në Kosovë i shkon përshtati vetëm Serbisë për të implementuar projektin e vet për ndarje të Kosovës.

Presidenti po vazhdon kauzën e tij për rishikim të shtetësisë së Kosovës.

Më lejoni edhe një herë ta bëjë të qartë para të gjithë qytetarëve se LDK-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që prek integritetin territorial të shtetit të Kosovës.

Prandaj, na duhet konsensus për tejkalimin e krizës institucionale.

Të gjitha forcat politike që janë për shtetin e Kosovës duhet të tregojnë përgjegjësi institucionale në këtë situatë.

Duhet të mblidhemi në tryezën e partive politike parlamentare.

Pas dakordimit të partive politike, Kuvendi duhet të mblidhet për të miratuar çështjet më urgjente që janë në pritje:

* Rezoluta për heqjen e temës së rishikimit të kufijve nga dialogu.

* Ligji për ushtrinë,

* Buxheti për 2019,

Pas kësaj, duhet organizuar seancën e Kuvendit për shpërbërje të Kuvendit.

Kosovës i duhet një qeveri e përgjegjshme, profesionale, që i del zot vendit, që nuk i delegon kompetencat e veta kushtetues, por i ushtron ato plotësisht.

Kosovës i duhet një qeveri që mund të marrë vendime pa u kushtëzuar nga askush.