Sot është mbajtur seanca e rregullt në Kuvendin Komunal të Podujevës, ku u miratuan të gjitha pika e rendit të ditës, raporton Llapi.info

Pas dështimit të miratimin në seancën e kaluar, sot propozimi i shpalljes në interes publik së rrugës e cila është në ndërtim e sipër buzë lumit Llap, kaloi në një debat të ashpër mes këshilltarëve komunal dhe drejtor të drejtorive.

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge janë ndalur nga banorët, pasi që sipas tyre, Komuna e Podujevës ka ndërruar fjalët.

Këtë pikë e kanë kundërshtuar haptas opozita, Rafet Llapashtica nga PDK ka thënë se është shkelur ligji në këtë rrugë.

“Kryetari Veliu ka biseduar me qytetarët në vitin 2016 dhe që gati tri vite i ka lajthitur qytetarët me të marr përsëri pushtetin. Kryetari Veliu e ka shkelur ligjin për pronën private. Nuk ka pasur as debat publik për atë rrugë, e jo tash me shku me ja rrëzu shtëpinë. Ky vendim kalon se e përkrahë LDK-ja edhe pse ka probleme private. Ne si grup i këshilltarëve të PDK-së nuk e mbështesim këtë pikë”, tha ai.

Edhe Bajram Ajeti nga LVV tha se “Nuk është bërë asnjë hap dhe asnjë planifikim në atë rrugë. Duhet të arrihet marrëveshje me qytetarët. Ajo rrugë nuk i plotëson standardet. Andaj, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrahë e as nuk e voton këtë pikë”.

Ndërkohë, për këtë pikë, opozita ka lëshuar sallën e Kuvendit, me ç’rast detyroi kryesuesin e Kuvendit, Fatmir Gashi, të ndërpres seancën për disa minuta.

“Burrë mbi burrë këtu nuk ka. 10 mijë euro me pas pagën nuk i shërbej si drejtor një kryetari i cili më denigron. Por, ti nuk ke burrni me nënshkru një dorëheqje, këtë s’mund ta bësh”, ishin fjalët e Rafet Llapshticës, thënë drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Abaz Llugaliu, teksa bëhej gati për të dalë nga salla e pas tij edhe këshilltarët tjerë nga opozita.

Ndryshe, pas disa minutave me shumicë votash të pozitës edhe përkundër ankesave të banorëve, kjo pikë e rendit u miratua.

Kujtojmë, banorët e kësaj lagjeje [Blakçori] thonë se i pari i Podujevës, Agim Veliu, u kishte premtuar atyre se nëse lejojnë ndërtimin e kësaj rruge do të jepen leje për ndërtim të ulët, të mesëm dhe të lartë dhe të gjitha taksat komunale do të binin në barrë të administratës komunale. Por, tash kur ka ardhur koha t’i vihet asfalti, sipas banorëve fjalët kanë ndërruar./Llapi.info

 

Lexo edhe: Ankesat e banorëve nuk merren parasysh, me votat e pozitës shpallet në interes publik rruga e re në Podujevë