Qeveria e Kosovës nuk pritet t’i pranojë dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës: Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ndonëse ata tashmë i kanë dorëzuar letrat në Ministrinë e Administrimit dhe të Pushtetit Lokal (MAPL).
Kjo pasi në dokumentet e dorëheqjeve ata i janë referuar Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kështu kanë bërë të ditura burimet e gazetës “Zëri”, sipas të cilave thuhet se zyrtarët e lartë të Qeverisë i kanë cilësuar si jolegjitime dorëheqjet në fjalë.

Zyrtarë të MAPL-së kanë thënë se nuk kanë informacion rreth kësaj çështjeje, ndonëse kanë pohuar se dorëheqjet tashmë janë dorëzuar në këtë dikaster qeveritar.

Por megjithëkëtë vetë kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se dorëheqjet e ministrave të komunitetit serb nuk janë definitive.

Në anën tjetër, nga MAPL-ja kanë thënë se dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë të pakthyeshme.