Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur akuza në drejtim të partisë së Shpend Ahmetit, PSD-së, pasi që kjo e fundit mundësoi kalimin e buxhetit për vitin 2019.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se PSD-ja me mandate të palegjitimuara, e mundësoi votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, shkruan lajmi.net.

Sipas Hotit, qytetarët nuk do të harrojnë t’u japin përgjigjen e merituar atyre që sipas tij po e deformojnë vullnetin politik.

“Partneri më i ri i koalicionit PAN, PSD me mandateve të palegjitimuara me votën e qytetarëve, mundësoi votimin e buxhetit 2019. Buxheti ishte çmimi i tyre. Qytetarët e Kosovës nuk harrojnë t’u japin përgjigjen e merituar atyre që ua deformojnë vullnetin politik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kujtojmë se buxheti për vitin 2019 mori 62 vota në Kuvendin e Kosovës.

Ani pse fillimisht Partia Socialdemokrate ishte deklaruar kundër tij, ata sot përkrahen këtë projektligj, duke kushtëzuar votimin me pesë kërkesa të cilat ia parashtruan kryeministrit Haradinaj.

Ndër to kërkesa bën pjesë edhe lirimi nga detyra i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.