Qytetari nga Podujeva, Shenoll Tahiri ditë më parë u arrestua nga Policia e Kosovës, me dyshimin se ka hyrë në filialin e një banke të qytetit dhe ka vjedhur sasi parash.
Ai dyshohet se veprën e ka bërë duke kërcënuar pronarin e bankës me armë zjarri, në mënyrë që t’ia jepte një sasi parash.
Për këtë vepër, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor të akuzuarin që kreu vjedhjen me 10 shtator të këtij viti.
Dënimi i të akuzuarit që i përket komunitetit rom, ngjalli reagime te shumë personalitete dhe qytetarë të Kosovës, të cilët vlerësonin se Shenolli u dënua me 7 vite e gjashtë muaj burg vetëm pse s’është shqiptar.
Mirëpo, për këtë vepër, dënim të njëjtë do të merrte secili qytetar i Kosovës, pavarësisht çfarë komuniteti i takon, vlerëson avokati i njohur, Besnik Berisha.
Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se dënimi prej 7 vitesh është minimali për dikë që kryen një vepër të tillë.
“Në rast se gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë dhe ky vërtetim i përgjigjet veprës penale të Grabitjes, të sanksionuar me nenin 329, par. 3, atëherë dënimi i shqiptuar rezulton të jetë minimumi i dënimit të paraparë me ligj për këtë vepër penale. Duhet të kemi parasysh se vepra penale të Grabitjes e cila kryhet në rrethana kur kryesi vepron si anëtar i grupit ose i cili ka me vete armën apo mjetin e rrezikshëm, është e dënueshme me dënim me gjobë dhe me burgim prej shtatë (7) deri në dymbëdhjetë̈ (12) vjet”, ka thënë Berisha.
Prandaj, sipas tij, dënimi i shqiptuar nga Gjykata është i ligjshëm dhe nuk mund të cilësohet si dënim drakonik, duke marrë parasysh se është minimumi i dënimit të paraparë me ligj.
Këtë vendim e ka arsyetuar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas të cilit, vendimi ndaj romit të Podujevës është i drejtë dhe aspak tendencioz.
“Lusim të gjithë akteret politik që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e tilla tendencioze, dhe t’i lënë gjyqtarët të qetë në punën e tyre. Këshilli Gjyqësor i Kosovës qëndron fuqishëm pranë gjyqtarëve, duke i mbështetur në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe duke i inkurajuar për përmbushjen e mandatit të tyre”, thuhet në reagimin e KGJK-së.