Mbrëmë rreth orës 23:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën “5 maji” në Prishtinë, saktësisht në afërsi të Rrethit të Flamurit, ka pasur të shtëna me armë zjarri.
Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë ku nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima; M. G, mashkull, 19 vjeç, i cili menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor, njofton kumtesa e Policisë.
Mbështetur në informacionet e mbledhura nga tereni dhe në bazë të hetimeve preliminare, dyshohet se një person i dyshuar i cili ishte në një veturë, e cila ishte në lëvizje, me armë zjarri ka shtënë disa herë, në drejtim të viktimës dhe katër personave të tjerë, të cilët gjithashtu ishin në veturën e tyre, duke lëvizur në rrugën e sipërshënuar.
Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar në sqarimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë rast, si dhe në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.