Sot ka ndodhur një plaçkitje në filialin e një bankë në Istog, ku si pasojë në vendin ngjarjes ka mbetur i vrarë i dyshuari dhe është plagosur një pjesëtar i Policisë. Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i policisë më vonë ka ndërruar jetë. Policia e Kosovës ka dhënë versionin zyrtar të kësaj ngjarje të rëndë.
“Të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, fillimisht duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, sigurimin e personelit dhe qytetarëve, me qëllim të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe hetimit rreth përfshirjes së mundshme edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë:

Sot me 27.12.2018 rreth orës 15:35, në filialin e bankës së NLB-së në Istog, ka ndodhur një rast tentim grabitje e armatosur.

Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për t’iu përgjigjur vendit të ngjarjes, ku me të arritur në atë lokacion kanë hasur në personin e dyshuar i cili posedonte një armë zjarri të gjatë, si dhe dyshohej që kishte marrë pengë dy persona.

Personi i dyshuar në përpjekje për tu larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri drejt zyrtarëve policor, të cilët në vetë mbrojtje të tyre dhe të qytetarëve janë detyruar ti përgjigjen me armë zjarri, duke e neutralizuar dhe duke e lënë të plagosur personin e dyshuar.

Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të armëve të zjarrit një zyrtar policor është plagosur rëndë, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Pejës.

Të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, fillimisht duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, sigurimin e personelit dhe qytetarëve, me qëllim të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe hetimit rreth përfshirjes së mundshme edhe të ndonjë personi tjetër të dyshuar .

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari.

Disa orë më vonë nga mjekët kompetent është konfirmuar vdekja e zyrtarit policor (I. D.) i cili ka shërbyer në stacionin policor Istog, si dhe vdekja e personit të dyshuar (K. M.) viti i lindjes 1968 nga fshati Shushicë e Ulët – Istog.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se personi i dyshuar posedon të kaluar kriminale të kryer në disa vende të Evropës.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ruajtjes së jetës dhe pronës si dhe parandalimin dhe arrestimin e kryerësve të veprave penale.