Një aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, njofton Llapi.info

Sipas pamjeve të siguruara, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, njëra prej tyre e zyrtarëve policorë.

Si pasojë e përplasjes, dy policë dhe tre civilë kanë mbetur të lënduar, me ç’ rast edhe kanë marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Podujevës.

“Po, nga aksidenti kanë mbetur të lënduar pesë persona, dy policë dhe tre civilë. Gjendja e tyre është stabile, nuk kishin lëndime të rënda, kryesisht gërvishtje”, kanë thënë nga Emergjenca për Llapi.info

Ndryshe, kohët e fundit është rritur dukshëm numri i aksidenteve në Podujevë, ku gjatë ditës së sotme në fshatin Penuhë ka humbur jetën një 32-vjeçare.

Ndërkohë, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po heton shkakun e aksidentit./Llapi.info