Jean-Louis Servais është ambasador i Belgjikës në Kosovë, i cili shpeshherë shmang eskortën e tij dhe shfrytëzon transportin publik të Prishtinës.
Diplomati belg në intervistën për numrin festiv të “Zërit” thotë se nivel i rehatisë i ofruar nga autobusët e rinj të Prishtinës është mbresëlënës.
Përpos transportit publik ai ka fjalë të mira edhe për sistemin shëndetësor në vend dhe thotë se mjekët e infermierët janë të kualifikuar.
“Ndoshta disa infrastruktura duhet të modernizohen, por mjekët e infermierët tuaj njihen si njerëz të kualifikuar dhe kjo përputhet me përvojën tonë. Pikërisht kjo është arsyeja pse gruaja ime vendosi të lindë vajzën tonë të dytë në Kosovë”, pohon ambasadori Jean-Louis Servais.
Cilësia e ajrit, shqetësuese për të gjithë
Zëri: Ka kaluar një kohë prejse jeni duke jetuar në Prishtinë. A jeni ambientuar me ajrin e ndotur dhe si e shihni zgjidhjen e këtij problemi?
Louis Servais: Cilësia e ajrit është pa dyshim një shqetësim për të gjithë në Prishtinë, veçanërisht gjatë dimrit. Zgjidhja ndoshta mund të nxirrej vetëm nga një përzierje e masave: izolimi i ndërtesave, makina më të reja, promovimi i transportit publik, sistemet e ngrohjes më të pastra, termocentralet më të pastra etj. Më kanë thënë se gjendja është përmirësuar për fat të mirë, duke u krahasuar me disa vite më parë.
Zëri: Në cilin vend të Kosovës ju pëlqen t’i kaloni fundjavat?
Louis Servais: Kosova ka shumë vende të mira dhe ka një larmi të vërtetë të peizazheve. E shoqëruar me dashamirësinë dhe me mikpritjen e popullit kosovar është shumë lehtë të kalosh fundjavë të bukur në Kosovë.
Zëri: A keni besim në shëndetësinë kosovare, përkatësisht a keni pasur rast gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë t’u drejtoheni mjekëve kosovarë për nevoja të ndryshme shëndetësore?
Louis Servais: Përvoja jonë me sistemin shëndetësor të Kosovës është me të vërtetë pozitive, si me sistemin publik dhe si me atë privat. Kosova ka trashëguar një traditë të cilësisë në fushën e kujdesit shëndetësor. Ndoshta disa infrastruktura duhet të modernizohen, por mjekët e infermierët tuaj njihen si njerëz të kualifikuar dhe kjo përputhet me përvojën tonë. Pikërisht kjo është arsyeja pse gruaja ime vendosi të lindë vajzën tonë të dytë në Kosovë.
Zëri: A e shfrytëzoni transportin publik të Kosovës dhe a ju bezdis trafiku i ngarkuar?
Louis Servais: Po, unë përdor transportin publik në Prishtinë dhe duhet të them se niveli i rehatisë së ofruar nga autobusët e rinj është mbresëlënës. Trafiku është me të vërtetë i zënë dhe është rritur në mënyrë drastike. Qyteti i Prishtinës është rritur shumë për një periudhë të shkurtër kohore, e logjikisht trafiku ka ndjekur të njëjtin ritëm.
Zëri: A dëgjoni muzikë të këngëtarëve kosovarë dhe kë do ta veçoje?
Louis Servais: Sigurisht se Kosova ka ambasadorë muzikorë të njohur ndërkombëtarisht si: Dua Lipa, Rita Ora e Era Estrefi. Edhe kompania juaj e baletit e orkestra juaj e filarmonisë meritojnë të përmenden. Në mbarë botën artistët tuaj e forcojnë imazhin e Kosovës si një vend i hapur, modern dhe krijues