Dhuna në familje po vazhdon të mbetet njëra nga dukuritë më shqetësuese në shoqërinë tonë. Viktima të dhunës në familje nuk janë vetëm femrat, numri i të cilave është vazhdimisht në rritje dhe dhuna ndaj tyre shpesh është kthyer në tragjedi. As meshkujt kosovarë nuk po shpëtojnë lehtë kundrejt kësaj dukurie.

Rritja e rasteve të dhunës brenda familjes vlerësohet si shumë shqetësuese nga njohës të çështjeve të sigurisë dhe nga sociologë, të cilët përmendin edhe faktorët që po ndikojnë në shkatërrimin e familjes, e që një prej tyre janë kushtet ekonomike.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi, ka thënë për Llapi.info, se gjatë vitit 2018 në Komunën e Podujevës, janë regjistruar 43 raste për dhunë në familje.

“Gjatë vitit 2018 janë raportuar/iniciuar gjithsejtë 43 raste dhunë në familje. Prej tyre 33 viktima kanë qenë femra, kurse 10 raste viktima kanë qenë meshkuj”, ka thënë ai.

E rastet e tilla, ndodhin për arsye të ndryshme. Ndër to, janë: kushtet e rënda ekonomike, martesat e hershme, rrjetet sociale si dhe faktorë të tjerë.

Krahasuar në tri vitet e fundit në Podujevë dhunë në familje në këtë Komunë ka shënuar rritje prej 8 për qind. Në vitin 2016 janë shënuar (35) raste, në vitin 2017, (45) raste dhe në vitin 2018 (43) të tilla.

Për parandalimin e kësaj dukurie janë mbajtur fushata, tubime e kampanja nëpër Komuna të ndryshme. Akt qyqarë dhunën e ushtruar e ka quajtur edhe i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në një tubim në Kuvendin Komunal./Llapi.info