Aksione të shumta ka pasur gjatë vitit 2018 nga Policia e Podujevës për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike, shkruan Llapi.info

Aksionet e policisë kanë qenë të përqendruara nëpër rrugët kryesore të qytetit e që edhe janë më të frekuentuara. Për t’i liruar hapësirat e destinuara për këmbësorë edhe është shtuar patrullimi i policisë rrugore.

Kryesisht për parkime të parregullta, Policia ka sekuestruar 1 mijë e 223 vetura. Kështu ka thënë për Llapi.info, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi.

“Gjatë vitit 2018 në Podujevë janë konfiskuar 1223 vetura për parkim të parregullt”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Policia edhe ka pasur fushata të ndryshme vetëdijesuese lidhur me vetëdijesimin e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve rreth respektimit të rregullave në komunikacion.

Përveç veturave, aksione të Policisë së bashku me Drejtorinë e Inspeksionit ka pasur edhe duke i larguar shitësit ambulantë afër shkollave fillore duke i bartur në Tregun e Gjelbër, si dhe largimi i reklamave të lokaleve që pengonin lëvizjen e lirë të këmbësorëve.

E për t’iu siguruar lëvizje të lirë këmbësorëve edhe i pari i komunës së Podujevës, Agim Veliu kohë më parë kishte apeluar te Policia dhe Inspektorati që të rrisin angazhimin në këtë drejtim./Llapi.info