Në një market në lagjen “Dardania” në Prishtinë mbrëmë u regjistrua grabitja e fundit e armatosur që ndodhi në Kosovë.
Atje katër persona me armë dhe të maskuar hynë të plaçkisin, por njëri nga ta një 19 vjeçar u kap në flagrancë, kurse i dyshuari i dytë u arrestua më vonë.
Dy persona të tjerë si të dyshuar për përfshirje në rastin në fjalë janë akoma në kërkim nga policia.
Një grabitje e ngjashme sikurse e së enjtes mbëma ndodhi edhe më 27 dhjetor të vitit të shkuar në qytetin e Istogut e cila përfundoi me dy të vdekur.
Rasti ndodhi kur një person hyri për të vjedhur në një bankë të këtij qyteti me ç`rast gjatë shkëmbimit me armë zjarri mbeti i vdekur polici i Kosovës, Izet Demaj, si dhe grabitësi.
Si këto dy raste në Kosovë janë evidentuar edhe 264 të tjera, të cilat janë regjistruar për periudhën nga janari deri më 30 nëntor të vitit 2018.
Policia e Kosovës tregon për klankosova.tv se rastet e grabitjeve kryhen në rrethana të ndryshme.
“Rastet më serioze të grabitjeve janë ato me armë. Po ashtu grabitësit kanë pasur caqe të ndryshme si biznese, banka, shtëpi banimi e edhe grabitjen e gjësendeve nga dora apo krahu (grabitje të telefonave apo çantave të krahut)”, thuhet në një përgjigje të policisë për klankosova.tv.
Forcat e rendit thekson se me qëllim të parandalimit, hetimit dhe arrestimit të kryerësve të këtyre akteve ka realizuar dhe ka zbatuar plane operative dhe taktike.
“Në rajonin e Prishtinës, gjatë dhjetëmujorit të parë të këtij viti, pas hetimeve intensive në zbardhjen dhe arrestimin e kryerësve të grabitjeve me armë, ka goditur disa grupe kriminale që dyshohet që janë përfshirë në këto raste, janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët janë në paraburgim (prej tyre ka persona që dyshohet se kanë kryer me shume se dy grabitje), kurse 6 të dyshuar të tjerë, të identifikuar nga policia janë në arrati”, thuhet më tej nga PK-ja.
Pos në kryeqytet të arrestuar dhe dërguar para organeve të drejtësisë ka në rajonet tjera edhe pse sipas policisë dukshëm më të rralla.
Ndërsa sa i përket moshës se personave të dyshuar është kryesisht mosha e re dhe ajo e mesme.