Me një aktivitet simbolik, Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, ka shpërndarë libra për fëmijët llapjanë në sheshin e qytetit “Ali Ajeti”, njofton Llapi.info
Ky aktivitet vjen si rezultat i rrënimit të bibliotekës së vetme të qytetit nga Komuna e Podujevës, për ndërtimin dhe asfaltimin e “Rrugës së Xhamisë”.
Me këtë rast, kryetari i këtij subjekti politik, Bajram Ajeti, ka thënë se është shqetësuese mungesa e bibliotekës për të rinjtë në Podujevë.
“Aktivitetin e sotëm e kemi bërë në shenjë revolte dhe shqetësimi, për shkak të se qytetarët e Llapit, gjegjësisht nxënësit, studentët apo lexuesit kanë mbetur pa bibliotekë. Të rinjtë kanë mbetur pa bibliotekë afro 6 muaj, dhe nuk është bërë as edhe një përpjekje për të gjetur një alternativë që nxënësit, studentët të mos mbeten pa i shfrytëzuar librat që ka kjo bibliotekë e cila është solide. Sot kemi shpërndarë lekturë shkollore prej klasës së parë deri në të nëntën”, ka thënë ai.
Sipas tij, Komuna e Podujevës me rrënimin e objektit të bibliotekës, nuk është e përkushtuar në arsimimin dhe ngritjen e dijes për qytetarët.
“Ka interesim të madh të fëmijëve dhe prindërve që po pajisjen me libra që së paku në këtë pushim dimëror të shfletojnë një libër. Ky është një reagim i ashpër ndaj një qeverisja komunale, e cila nuk e donë dijen e as nuk e respekton atë. Do të shohim a do të ketë reagim nga Komuna apo jo që biblioteka të funksionalizohet”, tha Ajeti për Llapi.info
Ndërsa, këshilltarja nga radhët e VV-së, Adelina Stublla, tha se ky aktivitet vjen si rezultat, pasi që sipas saj, rinia e Llapit nuk kanë bibliotekë tash e 5 muaj.
“Ne Lëvizja Vetëvendosje, sot ndërmarrim një aksion në lidhje me bibliotekës e qytetit të Podujevës, që është rrënuar para pesë muajsh. Kemi ngritur edhe si çështje në seancë, por nuk është marrë asnjë gjë për të rinjtë llapjanë. Kështu që të rinjtë qe pesë muaj janë pa bibliotekë, librat i kanë dërguar në shkollën “Fan S. Noli”, kurse punëtorët marrin pagën pothuajse që pesë muaj pa kryer punë fare. Ne këtu kemi bërë një tendë lëvizëse për t’i shpërndarë librat shkollorë fëmijëve që janë në pushimin dimëror, në mënyrë që këta të pajisjen me libra, pasi që librat janë edhe falas dhe që t’i lexojnë”, tha Stublla.
“Siç duket interesimi është i kënaqshëm edhe pse është mot i ftohtë. Ky aktivitet shpresojmë se do të vazhdoj edhe në ditët vijuese, ndërsa më vonë do ta vendosim edhe një baner, pasi që në debatin publik me qytetarë, Agim Veliu është shprehur, kur e kemi ngritur ne LVV si çështje mungesën e bibliotekës, ai ka cek se “jam i lumtur që biblioteka është rrënuar”, shtoi ajo.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur edhe një baner në vendin ku është rrënuar objekti i ish-Komitetit, e që në të ishte edhe biblioteka./Llapi.info