Komunarët e Podujevës nuk po lejojnë që të realizohet projekti i memorialit “Afrim Zhitia” në fshatin Llugë të kësaj komune.

Qe pesë vjet ata nuk janë duke i dhënë leje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për të ndërtuar këtë memorial në vendin ku tash është i ngritur obelisku i këtij heroi, shkruan sot Koha Ditore.

Arsyeja që e kanë dhënë ata është uzurpimi i pronës publike nga disa fshatarë aty afër. Por këtë e kanë përgënjeshtruar institucionet e drejtësisë.

Lënda për të cilën flasin ata është hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që në vitin 2016. Ndërkohë që edhe Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e njërit uzurpues.

Në qershor të vitit të kaluar, drejtori për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Abaz Llugaliu, kishte thënë se ata nuk kanë mundur të lëshojnë leje për realizimin e këtij projekti për shkak të kontestit pronësor-uzurpimit. Tash ai i ka treguar edhe personat që janë shpallur uzurpues.