Viti 2019 në Komunën e Podujevës ka nisur me disa incidente. Përgjatë kësaj jave të parë të këtij viti, Policia edhe ka arrestuar disa persona për vepra të ndryshme penale, shkruan Llapi.info
Kësisoj, një personi në fshatin Gllamnik të kësaj Komune i është dëmtuar vetura nga një plumb qorr (predhë 7.66 mm).
“Raportohet se një predhe (plumb qorr) ka goditur parafangon e veturës se viktimës mashkull K/Shqiptar. Është gjetur dhe konfiskuar predha e llojit 7.62 mm. Nuk raportohet për te lënduar”, ka njoftuar PK-ja.
Të enjten në rrugën “Afrim Zhitia”, janë arrestuar dy persona pasi që gjatë kontrollit të shtëpive të dyshuarve u janë gjetur dhe konfiskuar dy armë (revole) dhe dy fishekë.
“Lidhur me rastin me 03.01.2019 janë arrestuar dy meshkuj K-Shqiptarë, njëri nga ta i mitur, pasi që gjate kontrollimit të shtëpive të te dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar dy armë (revole) dhe dy fishekë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në raportin e PK-së.
Ndërsa, të njëjtën ditë në fshatin Tërrnavë një person i kërkuar është arrestuar nga Policia. Arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata. I njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.
Të premten dy persona në fshatin Bajqinë janë rrahur mes vete, teksa të dytë edhe kanë pranuar tretman mjekësor. Policia ka njoftuar se rrahja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje, derisa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.
Kurse, në orët e para të mëngjesit të së shtunës një grabitje e armatosur ka ndodhur në rrugën “28 Nëntori” në një pompë derivatesh. Dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës u kanë grabitur punonjësve 260 euro dhe pesë pako me cigare.
“Rr. 28 Nëntori, Podujevë, më 05.01.2019 – 04:20. Dy viktima meshkuj K/Shqiptarë, kanë raportuar se derisa ishin duke punuar në një pikë të derivateve, dy persona të maskuar dhe nën kërcënim të armës u kanë grabitur një shumë parash prej 260€ dhe pesë pako me cigare. Të njëjtit duke u larguar kanë shtënë me armë zjarri në ajër. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa në vendin ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar në gëzhojë”, thuhet në raport.
Ndërsa, në pikë kalimin kufitar në Merdare, një shofer i autobusit është shoqëruar në stacionin policor, pasi që i njëjti i kishte ofruar ryshfet prej 10 euro një polici.
“PKK Merdar, më 05.01.2019 – 12:00. Është shoqëruar për intervistim në stacion policor, i dyshuari mashkull K/Shqiptar-ngasës i autobusit, pasi që i njëjti gjatë kalimit kufitar i ka ofruar ryshfet prej 10€ një zyrtari policor. Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar PK-ja. Ndërsa, në Merdare Policia ka arrestuar një person të kërkuar. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, derisa i njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës./Llapi.info