Reshjet e borës që kanë filluar nga e marta e që janë duke vazhduar, kanë bërë që edhe në Komunën e Podujevës të ketë vështirësi në qarkullim, njofton Llapi.info
Në të gjitha rrugët e kësaj komune ka vështirësi në qarkullim, derisa edhe kompania e kontraktuar po mundohet ta largojë borën.
Zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi ka thënë se kompania po bën çmos për t’i liruar rrugët nga bora, por që reshjet e pandërprera po e vështirësojnë.
“Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të borës, është vështirësuar qarkullimi në rrugët e qytetit dhe fshatrave të komunës së Podujevës. Ekipet e kompanisë së kontraktuar nga Komuna për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit, me makinerinë për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës, vazhdimisht janë në teren, për të mbajtur rrugët të hapura për qarkullim. Mirëpo, reshjet e vazhdueshme të borës po pamundësojnë mbajtjen e rrugëve të pastruara”, ka thënë Elezi për Llapi.info.
Sipas tij, kompania ka angazhuar edhe punëtorë për pastrimin e trotuareve në qytet.
.
“Prioritet në pastrimin dhe hapjen e rrugëve i është kushtuar rrugëve që shpiejnë tek pacientët me hemodializë dhe rrugëve që shpiejnë tek institucionet shëndetësore në qytet dhe fshatra. Kompania për mirëmbajtjen e rrugëve, përveç makinerisë, ka angazhuar edhe punëtorë për pastrimin e trotuareve në qytet. Ekipet për mirëmbajtjen e rrugëve do të jenë në teren edhe gjatë tërë natës”, ka thënë ai.
Kurse, vështirësi të mëdha po ka nëpër fshatra e sidomos në zona më të thella malore, ndërsa banorët e fshatit Repë, kanë marrë masa për t’i zhbllokuar rrugët nga bora.
Në ndërkohë, apelohet për kujdes më të shtuar nga vozitësit dhe t’i kenë pajisjet dimërore./Llapi.info