Reshjet e borës të cilët ishin intensive gjatë kësaj jave, kanë bërë që të ketë telashe nëpër rrugët e Podujevës, njofton Llapi.info
Pavarësisht kësaj, sot rrugët kryesore të Podujevës janë të kalueshme. Kështu të paktën ka thënë për Llapi.info, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.
Sipas tij, ekipet për mirëmbajtjen e rrugëve tashmë po intervenojnë nëpër fshatra.
“Të kalueshme janë krejt rrugët në qytet, tani po intervenohet nëpër fshatra, konkretisht nëpër lagje duke i hapur rrugët. Rrugët kryesore të gjitha janë të hapura, tani po hapen në fshatra. Në qytet trotuaret janë të hapura kryesisht. Nuk ka pasur ndonjë fshat të izoluar nga bora”, ka thënë Elezi.
Ndryshe, në shumë pjesë të vendit nëpër lagje të fshatrave, gjatë ditës së djeshme banorët kanë marrë aksione për lirimin e rrugëve nga bora, duke akuzuar kompaninë për mospastrim./Llapi.info