Ministri i Kulturës Kujtim Gashi ka pritur në takim familjen e legjendës, Fadil Vokrri, për t’i dorëzuar vendimin e Qeverisë, përmes të cilit të ndjerit i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta për kontributin e tij dhënë në promovimin e sportit në arenën ndërkombëtare.

Familjes së Vokrrit, e përfaqësuar nga bashkëshortja zonja Edita dhe djemtë Gramozi e Alberti, ministri ua dorëzoi vendimin i cili parasheh që familjes së Vokrrit i transferohen mjete financiare prej 1000 euro në muaj.

Me këtë rast, Gashi tha se përmes këtij vendimi shteti e shpreh mirënjohjen për kontributin dhe angazhimin që ka dhënë legjenda Fadil Vokrri.

“Gjithë ne që e kemi njohur Fadil Vokrrin krenohemi për angazhimin dhe punën e tij. Ne kemi pasur obligim që ta marrim këtë vendim pasi që të ai ishte një njeri i cili me veprat e tij të mëdha ka lënë gjurmë në futboll e veçanërisht me kontributin e tij në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sportit”.

Ndërkaq, bashkëshortja e të ndjerit, Vokrri, zonja Edita, ndër të tjera falënderoi ministrin Gashi për vendimin e marrë si dhe për nderimin që jep për bashkëshortin.

“Fadili ka punuar jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë i përkushtuar maksimalisht për futbollin e veçanërisht për finalizimin e stadiumit. Po ashtu falë punës dhe angazhimit të tij Kosova tashmë është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare sportive andaj ju falënderoj për vendimin e marrë si dhe për nderimin për bashkëshortin tim”.