Në kohën kur Kosova po përballej me shkuarjen e një numri të qytetarëve të saj në Siri, dy komuna, Suhareka dhe Podujeva nuk u prekën nga ky fenomen.

Sipas një hulumtimi të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, Podujeva ka vetëm një person të përfshirë në grupet terroriste në luftën e Sirisë dhe Irakut, ndërsa Suhareka nuk ka asnjë të tillë.

“Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga komuna e Podujevës grupeve terroriste në Siri dhe Irak u është bashkangjitur vetëm një individ. Aktualisht, Policia nuk ka kurrfarë informate për personin në fjalë, përveç faktit se ai nuk gjendet në territorin e komunës së Podujevës. Sipas burimeve të njëjta, edhe dy persona të tjerë kanë tentuar t’ju bashkohen grupeve që luftojnë në Siri, mirëpo ata janë parandaluar nga Policia e Kosovës”, thuhet në hulumtimin e publikuar nga KIPRED.

Në hulumtim më tej thuhet se aktualisht në komunën e Podujevës nuk vepron asnjë organizatë joqeveritare që propagandon forma më radikale të Islamit.
Sipas këtij hulumtimi, në të kaluarën ka pasur tentativa, kryesisht nga organizata që kanë shpërndarë ndihma apo kanë ndihmuar financiarisht, mirëpo përfaqësuesit e këtyre organizatave janë larguar me kërkesë të Këshillit të Bashkësisë Islame në këtë komunë, me arsyetimin se kanë vepruar jashtë rregullave të BIK-ut.

Ndërkohë, komuna e Suharekës, sipas hulumtimit “Parandalimi i Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm: Mësimet nga Shembujt Pozitivë të Komunave të Podujevës dhe Suharekës”, është një nga komunat me nivelin më të ulët të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në mbarë Kosovën.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, asnjë person nga Suhareka nuk i është bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak. Policia po ashtu nuk ka të dhëna nëse ndonjë person nga ky qytet ka tentuar që t’iu bashkohet grupeve terroriste në Siri dhe Irak.

Në hulumtim thuhet se faktori kryesor që ka kontribuar në parandalimin e shfaqjes së radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në këto dy komuna është veprimi i drejtë dhe i duhur nga ana e Këshillave të Bashkësisë Islame.

“Në të dy rastet, KBI-të në fjalë që nga fillimi i kanë rezistuar instalimit të organizatave dhe individëve që kanë insistuar në predikimin e formave radikale të Islamit.

Vazhdimisht është biseduar me popullatën, dhe atë jo vetëm në xhami gjatë namazit, por edhe gjatë tubimeve, nëpër shkolla dhe në mediume. Janë demaskuar ideologjitë e këtilla radikale si të huaja dhe të dëmshme për shqiptarët në Kosovë”, thuhet në hulumtimin e publikuar nga KIPRED.

Në hulumtim më tej thuhet se organizatat dhe shoqatat me prirje radikale dhe ekstremiste e kanë pasur të pamundur, sidomos gjatë fazës së pasluftës që të gjejnë terren për t’i shpërndarë ideologjitë e tyre në këto dy komuna.

Një nga faktorët që ka ndikuar në parandalimin e shtrirjes së ideologjive radikale dhe ekstremiste është edhe procesi i kontrollit të përzgjedhjes së imamëve.

Nga fillimi i luftës në Siri, mbi 400 kosovarë besohet se kanë shkuar në zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Më shumë se 130 persona janë dënuar në Kosovë për pjesëmarrje në luftërat në Siri dhe Irak, ndërkaq, në këto zona janë vrarë më shumë se 70 kosovarë dhe rreth 200 ende mbesin atje./Llapi.info