Komunarët e Podujevës do ta funksionalizojnë vetë deponinë inerte në fshatin Llaushë, pasi që kjo komunë nuk është fituese e donacionit në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, në vlerën prej 1.2 milionë eurosh që u është ndarë 5 komunave.

Komuna e Podujevës është fituese e disa kontejnerëve dhe shportave për mbeturina. Drejtori për Shërbime Publike dhe Mbrojtje të Mjedisit, Faik Muçiqi, e ka quajtur përzgjedhjen e fituesve më shumë politike sesa reale pasi, sipas tij, ata e kishin plotësuar kriterin për caktimin e lokacionit për deponi inerte, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, tash Muçiqi thotë se sapo të hiqet bora do të fillojnë ta vendosin rrethojën në lokacionin ku do të bëhet kjo deponi dhe pastaj të shohin edhe çështjen e menaxhimit të saj.