Zyrtarët komunalë të tri komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë e Graçanicë) vazhdojnë të heshtin për miliona euro që nuk kanë arritur t’i inkasonin dhe po ashtu për borxhet ndaj operatorëve ekonomikë gjatë vitit 2017.
Shifra kishte arritur në 14 milionë e 152 mijë e 963 euro për këto komuna, përfshirë edhe atë të Obiliqit, shkruan sot Koha Ditore.
Vetëm zyrtarët e kësaj të fundit kanë kthyer përgjigje për këtë çështje, ndërkohë që zyrtarët e komunave tjera nuk kanë treguar nëse gjatë vitit 2018 kanë arritur t’i arkëtojnë këto mjete ose edhe t’i shlyejnë borxhet ndaj operatorëve ekonomikë. Pyetjet për këto u janë dërguar nga 8 janari.
Listës me më së shumti mjete të parakëtuara i prin Komuna e Podujevës. Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, vlera e të arkëtueshmeve në fund të vitit 2017 për këtë komunë kishte kaluar 7-milionëshin.
Podujeva me më së shumti mjete të paarkëtuara
Në të njëjtin raport thuhet se të arkëtueshmet përbëhen kryesisht nga tatimi në pronë, taksa në firmë, hapësirat publike dhe qiraja komunale.
“Komuna (e Podujevës v.j.) nuk ka arritur t’i arkëtojë të gjitha borxhet për të cilat ka ofruar shërbime, në mungesë të politikave adekuate dhe masave konkrete. Vlera e të arkëtueshmeve në fund të vitit 2017 kishte arritur në 7.270.304 €”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së për vitin 2017. I njëjti ka gjetur se prej mostrave të testuara të llogarive të arkëtuara (LlA) nga tatimi në pronë ka pasur vonesa të konsiderueshme të arkëtimit të të arkëtueshmeve, të cilat figuronin që nga viti 2002.