Shumë shpejtë kioskat në Podujevë do rrënohen. Gjithë kjo, pasi që Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Podujevës, ka marrë vendim që t’i largojë kioskat që gjenden në rrugën “Zahir Pajaziti” dhe “19 Qershori”, me arsyetimin për realizimin e projekteve të parapara, njofton Llapi.info
Në vendimin e kësaj drejtorie, thuhet se afati i fundit për largim është 18 marsi i këtij viti, duke iu ndaluar ushtrimi i zejes nëpër kioska nga ajo datë.
Këtë vendim e kanë kundërshtuar pronarët e kioskave. Sipas tyre, Komuna nuk ka kurrfarë të drejte për t’ua hequr këto kioske, pasi para gjashtë vitesh i kishin shkëputur kontratat me të, kur Gjykata Supreme kishte marrë vendim që hapësira ku është ndërtuar objekti që ishte i dedikuar për Shtëpi të Kulturës. Prej atëherë ata thonë se qiranë ia kanë paguar këtij personi privat dhe jo Komunës.
Ata thonë se deri më tani iu është shpërndarë vendimi disa herë. Por, pronarët thonë se janë të pafuqishëm siç thonë ata ‘nga të fortit’ dhe duhet pranuar këtë vendim, por kërkojnë që t’u bëhet një zgjidhje për t’i vendosur të njëjtat në një lokacion tjetër.
Edhe partitë opozitare në Podujevë po kërkojnë nga Komuna që të njëjtët kioske të vendosen në një vend tjetër, pasi që sipas tyre, shumë qytetarë mbesin të pa punë.
Këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Adelina Stublla, thotë se këtë çështje e ka ngritur edhe në debatin publik me qytetarë të thirrur nga kryetari i Podujevës, Agim Veliu. Thotë se ky vendim për largimin e tyre është shqetësues, teksa kërkon që t’iu sigurohet një vend për vendosjen e kioskave.
“Gjatë debatit me qytetarë, ne Lëvizja Vetëvendosje kemi ngritur si çështje vendimin për largimin e kiosqeve, meqenëse se ishte prezent edhe kryetari Veliu, pasi që ka kaluar një vit dhe ende nuk ka gjetur kohë për të marr pjesë në seancë, për t’i dëgjuar çështjet që ne i ngrisim për të mirën e qytetarëve. Por, edhe në atë ditë nuk gjeti kohë t’i përcillte deri në fund hallet e qytetarëve në debat publik. Pra ne shfrytëzuam rastin të ngrisim disa çështje, siç ishte edhe rasti me vendimin për largimin e kioskave, ku dihet se është marr vendim deri në muajin mars do të largohen të gjitha. E ky vendim është shqetësues për ne dhe qytetarët pasi atyre punëtorëve ne mendojmë se së pari duhet t’iu sigurohet vendi se ku duhet kryer veprimtarinë e tyre, e tani të rrënohen”, tha Stublla për Llapi.info
Sipas Stubllës, Komuna e Podujevës në plane zhvillimore ka rrënimin dhe largimin e objekteve, sikurse është rasti i bibliotekës, e më vonë të rindërtohen ato objekte.
Në anën tjetër, shefi i subjektit politik të PDK-së në Kuvendin Komunal të Podujevës, Rafet Llapashtica, thotë se prona ku janë aktualisht kioskat nuk është e definuar si pronë e Komunës.
“Pasi që Drejtoria e Inspeksionit ka marr vendim për largimin e kiosqeve që gjenden në rrugën “Zahir Pajziti” dhe “19 Qershori”, normalisht që është dashur t’iu bëhet një zgjidhje këtyre mini-bizneseve. Të njëjtave të ju ofrohet ndonjë hapësirë diku. Me sa e di kjo pronë edhe nuk është e definuar si pronë e Komunës së Podujevës. Dhe, ashtu qeverisja lokale e Podujevës e udhëhequr nga LDK-ja, pothuajse me veprimet e saja nga kjo Komunë, veç i ka përndjekur të gjitha bizneset e mëdha dhe tani i kanë mbetur edhe të këto të vogla (kioskat)”, tha Llapashtica.
Sipas tij, së pari është dashur të bëhet një formë e zgjidhjes përpara se të bëhet ultimatumi ndaj tyre.
“Kjo Drejtori nuk ka ofruar as një formë të zgjidhjes për pronarët e këtyre bizneseve, vetëm ka dhënë një ultimatum largimi. Para se të lëshohet vendimi për largim, është dashur të mendohet çka do të bëhet me këto biznese dhe ku do të jetë lokacioni për ta, andaj kjo është masë e papërgjegjshme nga ana e kësaj qeverisje të dobët”, ka thënë ai.
Ndryshe, sipas njoftimit të lëshuar nga drejtoria në rast të mosveprimit, Inspeksioni në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmerr masa përkatëse ligjore, mbylljen dhe largimin e kiosqeve dhe inicimin e procedurave gjyqësore./Llapi.info