Ka vite që QKMF në Podujevë është pajisur me mamograf, por i njëjti nuk ka shërbyer asnjëherë. Krejt kjo, pasi që nuk ka pasur kush të punojë me të.
Para dy vitesh Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë Komunë ishte pajisur me këtë aparat. E, për këtë i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu kishte thënë se qytetaret nuk do të shkojnë më në QKUK. Por, kjo nuk ka ndodhur, njofton Llapi.info
“Falë kësaj pajisjeje, femrat llapjanë më nuk do të kenë nevojë të shkojnë në QKUK dhe të presin në termine të gjata për të marrë një shërbim të diagnostikimit, por këtë do ta kryejnë në QKMF në Podujevë në mamografin me aparaturë bashkëkohore dhe pa efekte anësore”, pati thënë Veliu më 2017. Përveç kësaj, në lidhje me këtë pajisje Veliu edhe ka ironizuar në debatin publik me qytetarë të thirrur nga vetë ai.
“…Veç me shku une me ja nis me punue me ta, por s’di. Detyrë e imja ka qenë me furnizue me mamograf”, pati thënë Veliu.
E, tash komunarët thonë se ky mamograf pritet të funksionalizohet gjatë muajit tjetër. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi për Llapi.info ka thënë se shkaku i mos-funksionalizimit ka qenë mungesa punëtorëve-teknikëve të certifikuar.
“Mamografi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) deri tash nuk është vënë në funksion për shkak të mungesës së punëtorëve-teknikëve të certifikuar, të cilët do të punonin me këtë aparat. Në konkursin e fundit QKMF, për shërbimin e Radiologjisë ka pranuar dy punëtorë të certifikuar për punë me Mamograf. Kështu që brenda muajit shkurt ky aparat do të jetë në funksion dhe në shërbim pacientëve”, ka thënë Elezi.
Në anën tjetër, opozita në shenjë pakënaqësie në muajin tetor i cili është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kishte ndërmarr aksione sensibilizimi në këtë Komunë.
Këshilltarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, Doruntina Hasani për këtë ia hodhi kryetarit të komunës së Podujevës, Agim Veliu. Sipas saj, Veliu gjatë fushatës ishte thirrur shumë në këtë mamograf.
“Është i nevojshëm për shkak se dihet se sa shumë raste kemi të prekura nga kanceri i gjirit, dhe e dimë që mamografi është pajisja që zbulon në faza shumë të hershme ketë sëmundje”, tha ajo. “Është neglizhencë e kryetarit Veliu që tregon se kjo kategori e njerëzve nuk i interesojnë as pak, dhe qe ka trajnuar një person që ishte kontratë mbi vepër e pastaj e ka larguar nga puna. Ne si LVV e shohim shumë shqetësuese këtë gjë”, ka shtuar ajo për Llapi.info.
Për mos-funksionalizim, Llapi.info ka provuar të marr përgjigje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dega në Podujevë, por këshilltarja nga radhët e këtij subjekti, Floretë Zejnullahu, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje edhe pse vetë ajo kishte marrë aksion duke shpërndarë fletushka informuese mbi simptomat e këtij kanceri në rrugët e qytetit.
Ndryshe, edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë një aksion vetëdijesues lidhur me kancerin e gjirit në Podujevë, ku pas dështimit të kontrollimit në mamografin e QKMF-së, kanë shpërndarë çaj e fletushka tek posta e qytetit ku edhe kanë informuar kalimtarët e rastit lidhur me këtë sëmundje./Llapi.info