Para disa ditësh kur po kryente punime për nxjerrjen e dheut për nivelimin e oborrit të shtëpisë, në fshatin Sfeqël të komunës së Podujevës, në vendin e quajtur “Utrinat”, pronari Bajram Tërholli hasi në një kompleks të madh të furrave. Vendzbulimi shtrihet buzë anës së majtë të lumthit Dumnicë, në një vend fushor, të rrethuar më një ambient jashtëzakonisht të pasur bujqësor e blegtoral të luginës së lumit Llap, shkruan sot Koha Ditore.

Objektet u gjeten në thellësinë prej 30, 40 centimetrash.

Në fazën e gërmimeve të tashme kompleksi i objekteve shtrihet në një sipërfaqe prej afro 50 metrash katrorë, ndërsa thellësia e tyre sillet nga 1,50 deri në 2,00 metra.

Ato ngriheshin pranë njëra-tjetrës. Fjala është për një kompleks të një apo më shumë furrash, të cilat kanë shërbyer për pjekjen e enëve të qeramikës, pjekjen e tjegullave të çative, tjegullave për shtrimin e dyshemeve dhe të tullave.

Në afërsi të furrave u gjeten edhe copa të zgjyrës së metaleve të eksploatuara, andaj ka të ngjarë që pranë furrave për pjekjen e lëndës së argjilës (tullave, tjegullave etj.) , të këtë pasur edhe furra për shkrirjen e xeheve të metaleve me të cilat treva e Llapit ishte shumë e pasur./Koha Ditore