Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të jetë funksionale plotësisht shumë shpejt, pas investimeve të bëra, me qëllim të përmirësimit të kushteve për pacientët dhe stafin mjekësor.

Në kuadër të investimeve në QKUK, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë,  kanë ndarë mjete për renovimin objektit të Klinikës  së Pulmologjisë.

Përveç dyshemesë, zgjidhje i është dhënë edhe hyrjeve të kateve të saj, të cilat tash hapen dhe mbyllen nga dyer elektronike, për t’i ofruar qetësi pacientit, rendin e kërkuar klinikës për vizitat dhe më shumë siguri stafit mjekësor.

Më krah të zyrës së mjekëve të repartit, është rregulluar edhe një dhomë për specializantët.

Drejtoresha Rukije Mehmeti thotë se Klinika e Pulmologjisë po këndellet dhe  investimet e bëra janë tregues i një shembulli të mirë se po mendohet më tepër për shëndetësinë.

“Edhe pse është pak e vështirë që brenda natës t’i ndërrojmë të gjitha, mirëpo të gjithë ata që kanë vesh dhe sy me pa, ndërrimet po ndodhin dhe besoj që nëse shkojmë me këto trende dhe mënyra të zhvillimit e rregullimit të infrastrukturës, pacientët nuk do të kenë nevojë më të kërkojnë ndihmë diku tjetër”, thotë Mehmeti.

Sipas përfaqësuesve të klinikës, nga muaji dhjetor i vitit të shkuar, gjithashtu, aparaturat diagnostike, si Bronkoskopi dhe Ultrazëri,  kanë filluar të punojnë me kapacitet të plotë, derisa lista e pritjes për CT në mushkëri është hequr.

Bahri Thaçi, mjek në Klinikën e Mushkërive,  thotë se asnjë person nuk ka nevojë të presë më për Bronkoskopi.

“Pajisja me Bronkoskop dhe Ultrazë në këtë klinikë, duke marrë parasysh që kemi ekspert që dinë të punojnë me këto pajisje, këtë klinikë e ka ngritur në nivelin e rajonit. Sot asnjë person në Kosovë nuk pret që ta bëjë një Bronkoskopi. Ndërsa, sa i përket ultrazërit, është hera e parë që në Kosovë bëhet nxjerrja e ujit prej mushkërive”, deklaron Thaçi.

Pamjen e dhomave të rinovuara e plotësojnë 58 shtretërit e rinj, për pacientët që do të kërkojnë shërbime mjekësore në Pulmologji. 10 të tjerë do të mbërrijnë, kur do të përfundojë krejt puna.

Arben Sahiti, i shtrirë në këtë repart, shprehet i kënaqur me ndryshimet e bëra. Flet edhe për shtratin e ri, ku thotë se ndihet rehat.

“Unë po ndihem shumë mirë, si me staf, si me të gjithë. Mirë po me doket, shtrati shumë mirë, gjitha të mirat. Po ndihem shumë rehat, sidomos në krevat”, thekson Sahiti.

Në Klinikën Pulmologjike punojnë 64 punëtorë. Prej tyre, 49 punëtorë mjekësorë: 14 mjek specialist, 1 fizioterapeut ,31 infermier/e, 2 laborantë dhe 1 rentgen teknik.