Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shtyrë për në shkurt shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN”, në Podujevë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti ka thënë se nuk kanë arritur që t’i shqyrtojnë krejt shkresat e lëndës, për ta shpallur aktgjykimin në këtë rast, duke e shtyrë atë për 8 shkurt, nga ora 13:00.

“Ne e kemi planifiku datën e sotit datë kur është dashur të bëhet shpallja e aktgjykimit mirëpo trupi gjykues nuk ka mujt në kohën që e ka pas në dispozicion t’i shqyrtoj krejt shkresat e lëndës. Seanca e sotit shtyhet 8 shkurt ora 13:00”, ka thënë gjykatësi Hoti.

Në sallë, të martën, nuk ka qenë as deputeti Naser Osmani, e as prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu.

Ndryshe, pasi kishte përfunduar gjykimi në këtë rast, shpallja e aktgjykimit ishte caktuar për të martën.

Rasti kundër Naser Osmanit e të tjerëve kishte filluar sipas kallëzimit penal të parashtruar nga Policia e Kosovës më 28 prill 2014.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 30 prill 2014, kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, kurse kjo Prokurori më 16 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, të gjithë zyrtarë në AKP, si dhe Agim Deshishku, blerës i fabrikës “ FAN”.

Ndryshe, ndaj Agron Kamberit, tashmë është pushuar procedura, pasi ndaj tij prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.

Në seancën e 4 prillit 2016, përderisa prokurori special Admir Shala kishte lexuar aktakuzën, Naser Osmani dhe Bahri Shabani, pjesë e bordit të drejtorëve të AKP-së, nuk ishin deklaruar lidhur me fajësinë, me arsyetimin se prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit. Shqyrtimi kryesor në këtë rast kishte arritur të mbahet më 12 korrik 2017.

Këtë aktakuzë më pas e kishte përfaqësuar prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, pasi ish-prokurori Admir Shala, ishte zgjedhur Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor janë caktuar rreth 20 seanca gjyqësore, katër nga të cilat kishin dështuar të mbahen.

Në mes të dëshmitarëve në këtë rast ishin dëgjuar edhe ish- anëtari i bordit, Haxhi Arifi, ish-punëtorët e fabrikës “FAN”.

Të gjithë të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre në këtë gjykim duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësve të tyre, prokurorisë e trupit gjykues.

Ata në vazhdimësi kanë mohuar pretendimet e prokurorisë në aktin akuzues të ngritur kundër tyre.

Gjatë fjalës përfundimtare, prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu, kishte kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe kishte kërkuar konfiskimin e fabrikës “FAN”.

Kurse, mbrojtësit e të akuzuarve, bashkë me të akuzuarit, kishin kërkuar nga trupi gjykues që t’i lironte nga akuza, duke mohuar sërish veprat penale që u vihen në barrë, e duke insistuar në pafajësinë e tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 16 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Agim Deshishku.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e PSRK-së, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian  Kelmendi, si  kryesues  të  Njësisë  së  Monitorimit në AKP në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtarë të AKP-së: Lisa  Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Ërsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro.

Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”. Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ku ishte  blerë  me  çmim  prej  2,310,000  euro  nga  blerësi, që më pas i akuzuari Agim  Deshishku, sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000 euro dhe të punësojë 236 punëtorë gjatë periudhës dy vjeçare.

Agim Deshishku, akuzohet nga prokuroria për mashtrim në vazhdimësi, legalizim i përmbajtjes së rreme në vazhdimësi dhe për shmangie nga tatimi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 prill 2016, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special  Admir  Shala, të pandehurit Naser  Osmani dhe Bahri Shabani, nuk u deklaruan lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre, me arsyetimin se prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit.  Shqyrtimi i dytë lidhur me këtë rast ishte caktuar të mbahej më 6 maj 2016, por e njëjtë ishte shtyrë. Që nga 6 maji 2016, e deri në fund të shkurtit 2017 nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër lidhur me këtë rast.

Kjo aktakuzë, tani, do të përfaqësohet nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, pasi ish-prokurori special, Admir Shala, është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren./Betimipërdrejtësi.