Tiranë, 29 janar − “Rrugëtimi i Ismail Qemalit ndër vite” titullohet ekspozita e hapur të hënën në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të 100-vjetorit të vdekjes se kryeministrit të parë të shtetit shqiptar. Dorëshkrime të hershme, në të cilat Ismail Qemali mbante të gjallë komunikimin për shpalljen e Shqipërisë si shtet i pavarur, janë pjesë e ekspozitës. Aty zënë vend edhe dokumente të rëndësishme të periudhës se pushtimit osman e të diplomacisë së tij.

Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Kombëtar, në fjalën e tij të hapjes ka thënë se kjo punë në nder të Ismail Qemalit është detyrë e të gjitha institucioneve për të vlerësuar figurën e tij.

“Ky vit për Muzeun Historik Kombëtar do të jetë vit që do t’i përkushtohet edhe figurës së Ismail Qemalit. Është një ekspozitë e cila është shtrirë në kohë dhe hapësirë gjatë gjithë jetës së veprimtarisë së Ismail Qemalit me foto nga aktivitetet e tij që në moshën 27-vjeçare dhe ecën në mënyrë kronologjike deri tek ngjarjet më të rëndësishme që kanë shënjuar jetën e tij, si pjesëmarrja në parlamentin osman, arratisja e tij në Perëndim”, ka thënë ai në hapje të ekspozitës, e cila organizohet në bashkëpunim dhe me Arkivin e Shtetit”.

Krahas ekspozitës me të njëjtin titull është mbajtur konferenca shkencore e fokusuar në rolin dhe veprimtarinë e Ismail Qemal Vlorës në çështjen shqiptare.