Kontejnerët në Lagjen e Dëshmorëve në fshatin Balloc të Podujevës do të largohen. Kjo, pasi që është miratuar vendimi në Kuvendin Komunal të Podujevës për shitjen e tyre, njofton Llapi.info

Drejtori i Drejtorisë së Mirëqenies Sociale dhe Shëndetësisë në Podujevë, Zaim Thaçi duke kërkuar që ky vendim të miratohet, tha se në atë vend do të ndërtohen edhe shtëpi të reja.

“E kemi një kërkesë nga komisioni për largimin e kontejnerëve në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc. Ky komision i cili e ka këtë çështje për lirimin e hapësirave, do bëhet pasi që në vitin 2019 do të fillohet me ndërtimin e shtëpive të reja. Andaj, objektet të cilat nuk janë në shfrytëzim duhet tjetërsuar”, ka thënë Thaçi.

Vendimin për shitjen e tyre e kanë përkrahur të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin Komunal. Lirika Maliqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se në atë lagje duhet t’i kushtohet një angazhim më i madh, duke krijuar kushte zhvillimi në të gjitha fushat.

Edhe kryetari i komisionit dhe njëherësh edhe këshilltar komunal nga radhët e LDK-së, Agim Behluli theksoi se largimi i objekteve është i domosdoshëm.

Kujtojmë, në këtë lagje për nder të 28-Nëntorit janë shpërndarë çelësat e 20 shtëpive banuese për familjet nevojtare, shtëpi këto të ndërtuara nga Ministria e Financave./Llapi.info