I pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Helvetas Swiss Intercooperation (DEMOS) për bashkëfinancimin e projekteve në kuadër të grantit të performancës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media, transmeton Llapi.info
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Veliu tha se mjetet do të investohen në projekte të rëndësishme për qytetarët e Komunës së Podujevës.
Shuma totale e planifikuar për këto projekte është 420,641.00 euro, kontributi i grantit është 199.872.00 euro, ndërsa kontributi i Komunës së Podujevës në realizimin e projekteve është 220,769.00 euro.
Projektet e planifikuara për realizim nga Komuna e Podujevës, me mjetet e këtij granti, janë: Ndërtimi i ambulancës në fshatin Majac, rregullimi i shtratit të Lumit Llap (vazhdim i projektit) dhe ndërtimi i shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc (vazhdim i projektit).
Qëllimi kryesor i Grantit të performancës është stimulimi i komunave për përmirësimin e mëtutjeshëm të performancës së tyre në fushën e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe integritetit./Llapi.info