Pas pezullimit të grevës së mësimdhënësve, nesër në të gjitha shkollat e Podujevës do të filloj gjysmë-vjetori i dytë. Mësimdhënësit përmes grevës tre javore, ia arritën qëllimit për ngritje page, njofton Llapi.info
Sindikata e Arsimit në Komunën e Podujevës, sot ka mbajtur një takim, për t’i falënderuar prindërit dhe nxënësit për mirëkuptimin ndaj kërkesave të punonjësve arsimorë. Me këtë rast, kryetari i kësaj sindikate, Fadil Halimi ka thënë se kjo grevë ka përçuar një mesazh të fuqishëm të unitetit.
“Greva deri diku ka arritur objektivat që nëpërmjet ngritjes së koeficientit të pagës në shkallën prej 20 për qind ka ruajtur dinjitetin e mësimdhënësit dhe punonjësve tjerë. Kjo grevë ka përçuar një mesazh të fuqishëm të unitetit te të gjithë punonjësit arsimorë në komunën e Podujevës dhe në shkallë vendi pavarësisht sulmeve nga disa zëra të shterur, të cilët pas pezullimit të grevës po proklamojnë edhe ndarjen e SBASHK-ut. Sindikata e Arsimit në Podujevë kurrë nuk ka qenë me unike në ruajtjen e imazhit të mësimdhënësit dhe të artikulimit të kërkesave të legjitime të tyre”, është shprehur Halimi.
Ndërsa, pakënaqësi të mësuesve llapjanë me shkallën e koeficientit më ta ultë në krahasim me mësimdhënësit lëndorë, i ka sqaruar anëtari i Këshillit drejtues të SBASHK-ut, Besim Gashi. Kurse, anëtari i Kryesisë së SBASHK-ut në Podujevë Fahri Hoxha, theksoi se edhe mësimdhënësit e shkollave të mesme me kualifikim të njëjtë i ndajnë mësimdhënësit e shkollave fillore me koeficient më të lartë, por këto nuk do të jenë tema që do të mund t’i përçajnë.
Ndryshe, greva për herë të parë në Podujevë është zhvilluar edhe në çerdhen e fëmijëve “Armela”, ku kërkesat e edukatoreve kanë hasur në mirëkuptim të plotë te Këshillin e Prindërve,/Llapi.info