Në seancën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, është mbështetur amendamenti i deputetit të LDK-së Fidan Rekaliu, së bashku me ish-ministrin e MPMS-së, Arban Abrashi, për vazhdimin e ndërtimit të shtëpive në Lagjen e Familjeve të Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, transmeton Llapi.info

Në një postim në Facebook, Rekaliu ka falënderuar të gjithë deputetët me rastin e votimit të këtij amendamenti. Sipas tij, pas aprovimit, tashmë ky projekt bënë pjesë në investimet kapitale për këtë vit.

“Amandamenti që propozuam bashkë me kolegun z.Arban Abrashi në Komisionin për Buxhet dhe Financa, me bashkëpunim dhe me përkrahjen e plotë të Kryetarit të Komunës së Podujevës z. Agim Veliu për vazhdimin e ndërtimit të shtëpive në Lagjen e Familjeve të Dëshmorëve në Podujevë, është mbështetur nga seanca në lexim të dytë dhe tashmë është pjesë e projekteve në investimet kapitale për këtë vit. Falenderoj kolegun, ish Ministrin e MPMS, z. Abrashi për mbështetjen dhe poashtu, kolegun tjetër, kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, z. Lumir Abdixhiku si dhe gjithë deputetët tjerë për aprovimin e këtij amandamenti. Edhe në vazhdim, në procesin e rishikimit të buxhetit, do të jemi aty për të argumentuar nevojën e ngritjes së mëtejme të mbështetjes buxhetore për përmbylljen e këtij projekti”, ka shkruar Rekaliu.

“Tashmë, me prioritetin e dhënë edhe nga ana e Kryetarit të Komunës z. Veliu të këtij projekti, por edhe me fondet tjera, besojmë që shpejt ky projekti do të përmbyllet duke i dhënë zgjidhje meritore kësaj kategorie të vlerësuar të shoqërisë tonë. Ne, nuk do të ndalemi deri në finalizimin e kësaj pune”, ka përfunduar Rekaliu./Llapi.info