10-vjeçari Leugzim Halili, është nxënësi i vetëm i fshatit Murgullë të Podujevës.

E, për të arritur në shkollë, atij i duhet të udhëtojë me kombi-bus rreth shtatë kilometra, raporton KTV.

Ai vijon mësimet e klasës së katërt në Shkollën Fillore “Sami Frashëri”, në fshatin Zhiti. Udhëtimi i tij për në shkollë mundësohet përmes këtij kombi-busi, me të cilin ai shkon çdo ditë në shkollë.

Mësimin e nis në këtë objekt të vjetër e me pak shoqëri, por me shumë përkushtim.

Mësuesi Nebih Avdiu, ndonëse nuk ka pranuar të flasë para kamerës, ka treguar se klasa e katërt në këtë shkollë ka vetëm pesë nxënës.

E, gjithçka, sipas tij, po shkon në mënyrë të rregullt.

Shoferi i cili transporton çdo ditë 10-vjeçarin, Ylldon Sinani, thotë se i duhet të shkojë ta marrë deri te dera e shtëpisë.

Ai tregon se has në vështirësi dhe se është interesant që Leugzimi të jetë udhëtari i tij i vetëm.

Sinani tregon se, përveçqë e sjell në shkollë, ai duhet ta presë atë derisa ta përfundojë mësimin dhe sërish ta kthejë në shtëpi.

Që Leugzimi ta ndjekë mësimin, komuna e Podujevës ka ndarë 612 euro për t’ia paguar atij transportin.

Por, në drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, nuk kanë qenë të gatshëm të flasin para kamerës së KTV-së.

Madje, të premten, ata nuk kanë qenë as në vendin e punës.

Leugzimi është njëri nga pak nxënësit që vijojnë mësimin në këtë shkollë, si pasojë e braktisjes së fshatrave.