Admirali amerikan i Marinës, shefi i ri i Komandës jugore të Ushtrisë amerikane, i ngarkuar për operacione në Amerikën Jugore dhe në Karaibe, Craig Faller, ka deklaruar se SHBA- ja nuk do të duhej ta përjashtonte mundësinë e përzierjes së ushtrisë ruse në Venezuelë.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” Faller ka vlerësuar se Rusia po sillet si ariu i plagosur dhe i ligësuar që po lufton interesat demokratike në rajon, transmeton Koha.net.
“Mendoj se me Rusinë çdo gjë është e mundshme. Keni parë se çfarë kanë bërë në Siri dhe mendoj se ne duhet të jemi të gatshëm për çdo gjë që mund të ndodhë në të ardhmen”, ka thënë Faller.
I pyetur se ç’pret lidhur me situatën në Venezuelë, për ç’opsione po përgatit Komanda jugor e Ushtrisë amerikane, Faller është përgjigjur se “po përqendrohen në përkrahjen e zgjidhjes politike e diplomatike”.
“Dhe, siç mund të pritet nga komandanti ushtarak, po punojmë që qytetarët amerikanë, diplomatët dhe pasuria e tyre të jenë të sigurt dhe këtu bëhen të gjitha përpjekjet tona”, ka thënë admirali amerikan.
Në konstatimin se sekretari shtetëror i SHBA-së Mike Pompeo ka deklaruar se në Venezuelë ekzistojnë qelitë aktive të luftëtarëve të huaj që kanë luftuar në Siri, Faller ka thënë se “dora e gjatë krimit e Iranit është kudo nëpër botë, ndërsa surrogati i tij, Hezbollahi libanez, është në fundin e dorës së saj”.
I pyetur nëse kjo do të thotë se ata janë në Venezuelë, admirali ka thënë se “ka respektin e plotë në sekretarin e shtetit”.
“Ai ka bindje të thella morale dhe e flet të vërtetën”, ka thënë Faller.